Lehtësim tregtie dhe sisteme digjitale, doganat e Shqipërisë dhe Kosovës koordinojnë hapat e radhës

Administratat doganore të Shqipërisë dhe Kosovës po thellojnë bashkëpunimin me synimin për të reduktuar kostot për bizneset dhe për të përshpejtuar qarkullimin e mallrave ndërmjet dy vendeve.

Takimi i zhvilluar mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës Shqiptare, Besmir Beja, dhe homologut të tij kosovar, Agron Llugaliu, u fokusua te modernizimi i procedurave dhe rritja e efikasitetit në pikat kufitare dhe portuale.

Në qendër të diskutimit ishte zgjerimi i shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe avancimi i sistemeve digjitale të përbashkëta, që synojnë të reduktojnë kohën e pritjes dhe të rrisin transparencën. Sipas drejtuesve të dy administratave, digjitalizimi mbetet çelësi për një administrim më të shpejtë dhe më të sigurt të flukseve tregtare.

Një element strategjik i bashkëpunimit është funksionimi i Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, e cila konsiderohet një mekanizëm që ka lehtësuar ndjeshëm procedurat për operatorët kosovarë. Përfaqësuesit kosovarë theksuan se kjo prani ka ulur kostot dhe ka përshpejtuar përpunimin e mallrave.

Po ashtu, pika e përbashkët “One Stop Shop” në Morinë u vlerësua si model funksional, që ka ndikuar në rritjen e volumit tregtar dhe të fluksit të udhëtarëve, duke shmangur procedurat e dyfishta.

Takimi u mbyll me angazhimin për të vijuar harmonizimin e proceseve dhe për të ndërtuar mekanizma të rinj bashkëpunimi që do të forcojnë integrimin ekonomik mes dy vendeve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033