Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska po komunikon me Shtetet e Bashkuara lidhur me zhvillimet në Ballkan dhe se është e gatshme të vijojë këto kontakte.
Duke folur në një konferencë për media, Lavrov u shpreh se Rusia ka më shumë hapësirë për dialog me SHBA-në sesa me Bashkimin Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet e tjera të rajonit. Ai theksoi se kontaktet mes palëve janë në vazhdim, por deri tani nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
Sipas kryediplomatit rus, Moska mbetet e hapur për komunikim dhe dialog, ndërsa, siç tha ai, edhe pala amerikane ka treguar gatishmëri për zhvillimin e këtyre kontakteve.
Deklaratat e Lavrovit vijnë në një kontekst të ndjeshëm për Ballkanin, ku zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e ndikimit rus në rajon. Në këtë kuadër, Serbia është portretizuar nga autoritetet kosovare si një aleat i ngushtë i Moskës dhe si një faktor përmes të cilit Rusia synon të shtrijë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor.