Lapsusi i një zyrtari amerikan, Tirana ngatërrohet me Teheranin gjatë deklaratës për operacionin ushtarak

Sekretari amerikan i Mbrojtjes përmend gabimisht Tiranën në vend të Teheranit gjatë shpjegimit të sulmit ajror mbi Iranin, duke u bërë viral

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është bërë objekt diskutimesh të shumta në rrjetet sociale pas një lapsusi të pazakontë gjatë një deklarate për mediat. Teksa fliste për operacionin ushtarak të quajtur “Çekiçi i Mesnatës”, ai ngatërroi kryeqytetin iranian Teheran me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.

Gjatë një paraqitjeje zyrtare krahas Kryetarit të Shtabit të Përbashkët të Forcave Ajrore amerikane, Gjeneralit Dan Caine, Hegseth po shpjegonte me detaje ndërhyrjen e avionëve bombardues amerikanë B-2 në objektiva të ndjeshme iraniane. Ai deklaroi: “B-2 hynë dhe goditën në Tiranë… më falni, në Teheran.”

Lapsusi u kap menjëherë nga mediat ndërkombëtare dhe përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët nuk humbën kohë për ta bërë atë viral. Megjithatë, Hegseth e kuptoi menjëherë gabimin dhe e korrigjoi vetë në vendngjarje, duke shmangur një konfuzion më të madh diplomatik.

Sipas fjalës së tij, ky operacion kishte kërkuar muaj të tërë përgatitjesh dhe koordinimi ushtarak, nën urdhrin e Presidentit të SHBA-së. Hegseth theksoi se sulmi u zhvillua me përpikëri maksimale dhe me masat më të larta të sigurisë operative.

“Ky është një plan që kërkoi muaj e javë pozicionimi dhe përgatitjesh në mënyrë që të ishim gati kur të na vendoste presidenti. Kërkoi shumë saktësi. Përfshiu orientim dhe sigurinë më të lartë operacionale”, deklaroi ai para se të bënte lapsusin.

Deklarata ndodhi në kuadër të tensioneve të ashpra në Lindjen e Mesme, ku Shtetet e Bashkuara ndërmorën një sulm ajror ndaj objektivave iraniane si pjesë e mbështetjes ndaj Izraelit në konfliktin aktual me Iranin.

Edhe pse lapsusi u bë shkas për humor dhe debat në rrjet, ai nuk ndikoi në përmbajtjen serioze të deklaratës, e cila konfirmoi përfshirjen direkte të SHBA-së në zhvillimet ushtarake në rajon.

Ndaj Postimin: