Lapaj sulmon Ballukun dhe Ramën në protestë: “50 milionë euro u dhanë me një SMS, ky është një regjim hajdut”

Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga Adriatik Lapaj, ka zhvilluar protestë para Kryeministrisë, ku prej rreth një jave ai dhe mbështetësit e tij qëndrojnë ditë e natë. Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, Lapaj hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e lidhur atë me korrupsionin në projektin e Tunelit të Llogarasë.

Lapaj deklaroi se, sipas tij, 50 milionë euro janë dhënë “me një mesazh”, duke e cilësuar këtë si simbol të mënyrës se si funksionon, sipas tij, qeverisja aktuale. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për gënjeshtra dhe dështim në mbajtjen e premtimeve elektorale, duke e quajtur situatën në vend “një regjim hajdut”.

Gjatë fjalimit, Lapaj vlerësoi punën e prokurorëve të SPAK, për të cilët u shpreh se po përballen me atë që e quajti “kancer malinj” të korrupsionit. Ai i bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestë dhe të mos tremben nga pasojat ligjore.

“Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes. Nuk trembem nga procedimet penale. Për të gjithë ata që kanë në shtëpi të sëmurë me kancer dhe nuk gjejnë ilaçe, për të gjithë ata që vuajnë nga ky regjim i hajdutëve, që me një mesazh jep 50 milionë euro, le t’u japim një duartrokitje atyre funksionarëve të drejtësisë që po përballen me këtë kancer malinj”, deklaroi Lapaj.

Ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit me akuza personale, duke përsëritur thirrjen për dorëheqjen e tij dhe duke theksuar se çdo veprim ndaj tij dhe familjes së tij do ta konsiderojë si konflikt të drejtpërdrejtë. Në fund, Lapaj ftoi diasporën shqiptare që të bashkohet me protestën, duke e cilësuar këtë moment si “kohën për të çliruar mëmëdheun”.

Ndaj Postimin: