Lapaj nis protestë të pazakontë para Kryeministrisë: “Jam këtu si qytetar, jo si parti”

Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka nisur një formë të pazakontë proteste para Kryeministrisë, ku është pozicionuar i ulur në një karrige pa asnjë simbol apo logo partie. Në një intervistë, ai deklaroi se ka dalë si qytetar dhe aktivist, i zhgënjyer nga mungesa e reagimit shoqëror përballë situatës politike dhe ekonomike në vend.

Lapaj tha se kishte pritur protesta në dhjetor, veçanërisht për çështje që prekin të rinjtë dhe studentët, ikjen masive nga vendi dhe mungesën e shpresës. “Mendova të bëhem një shkëndijë. Një shkrepëse e vogël që mund të ndezë një lëvizje që Shqipëria e ka shumë nevojë,” u shpreh ai, duke nënvizuar se problemet aktuale nuk zgjidhen nga asnjë parti e vetme.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mbrojtja e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, sipas tij, tregon frikën e Ramës nga përparimi i hetimeve. “Po dal për pavarësinë e gjyqësorit. Ky është moment historik. O vendoset drejtësia, o ky shtet shkon drejt shkatërrimit,” deklaroi Lapaj.

Për kohëzgjatjen e protestës, ai theksoi se do të qëndrojë “sa ta mbajnë forcat”. Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen, duke theksuar se sa më shpejt të rritet pjesëmarrja, aq më shpejt ai mund të rikthehet pranë familjes. Ai tregoi se gjatë natës ka pasur mbështetje nga qytetarë të ndryshëm që i kanë qëndruar pranë, madje i kanë sjellë ujë të ngrohtë dhe batanije.

Lapaj shprehet se protesta pritet të zgjerohet dhe se është koha që rinia, studentët, fermerët dhe të gjithë të papërfaqësuarit nga politika të reagojnë. “Shteti nuk është pronë personale. Duhet të mbyllim tranzicionin dhe të ndërtojmë institucione të drejta, ku qytetarët t’i besojnë taksave dhe ligjit,” tha ai.

Ndaj Postimin: