Lamtumira e papritur e Diogo Jotës trondit botën e futbollit evropian

Futbollisti i Liverpool, Diogo Jota, humb jetën në një aksident tragjik automobilistik në provincën spanjolle të Zamoras

Një lajm tragjik ka goditur komunitetin sportiv europian, pasi është konfirmuar vdekja e futbollistit të njohur portugez, Diogo Jota. Sulmuesi i Liverpool-it ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Spanjë.

Ngjarja ndodhi në provincën e Zamoras, ku Jota ndodhej për pushime private. Sipas mediave spanjolle, automjeti i tij humbi kontrollin dhe përfundoi jashtë rrugës, duke shkaktuar plagë fatale për futbollistin. Autoritetet po hetojnë rrethanat e sakta të ngjarjes.
Sipas burimeve, Jota ndodhej në automjet së bashku me vëllain e tij, Andre, kur makina ka dalë nga rruga dhe të dy ndërruan jetë në mënyrë tragjike.

Lajmi është konfirmuar edhe nga burime të afërta me klubin e Liverpool-it, të cilët janë shprehur të shokuar nga humbja e papritur. Klubi ka shpërndarë një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar Jotën si “një kampion brenda dhe jashtë fushës”.

Karriera e Jotës u ngjit fuqishëm me Wolverhampton në Premier League, përpara se të transferohej te Liverpool në vitin 2020. Ai u bë një nga lojtarët më të dashur nga tifozët, falë përkushtimit dhe talentit të tij në fushë.

Përfaqësues i rregullt i kombëtares së Portugalisë, Jota kishte qenë pjesë e shumë kompeticioneve madhore ndërkombëtare dhe shihej si një element kyç për të ardhmen e skuadrës.

Reagime të shumta kanë ardhur nga bota e sportit, ku trajnerë, lojtarë dhe tifozë kanë shprehur dhimbjen e tyre të thellë për ndarjen nga jeta të një talenti të rrallë dhe një njeriu të dashur.

Familja e Jotës ka kërkuar respektimin e privatësisë në këtë moment të vështirë, ndërsa homazhet për të janë shtrirë në shumë qytete evropiane. Vdekja e tij lë një boshllëk të madh në futbollin ndërkombëtar.

Ndaj Postimin: