“Lakuriq”, Oltsen Gripshi zhvesh qenien njerëzore në një ekspozitë intime dhe politike

“Lakuriq” është ekspozita më e re e artistit bashkëkohor Oltsen Gripshi, një projekt që eksploron qenien njerëzore në dimensionin e saj social, politik dhe historik.

Në këtë rrugëtim artistik, Gripshi kthehet te zanafilla e njeriut dhe më pas e ndjek atë në përmasat e brendshme dhe të jashtme të ekzistencës. Për të, lëkura nuk është thjesht trup, por kufiri mes racionales dhe iracionales, midis botës së brendshme dhe realitetit që e rrethon.

“Në rastin konkret, lëkura shndërrohet në hartën e jetës së jetuar. Rrëfen karcinomën e gjirit të sime ëme dhe më pas rrugëtoj në disa përmasa të tjera që interpretojnë individin e së tashmes,” u shpreh Gripshi.

Ekspozita trajton tema të forta si dhuna në familje, incesti, dasma që nuk u bë kurrë, duke ndërthurur fragmente jete që kthehen në mesazhe universale. Një nga instalacionet më të fuqishme është “membrana e përmbajtjes”, ku një sënduk mbi 100-vjeçar hapet simbolikisht për të nxjerrë 100 këmisha gjumi femërore, si metaforë e brishtësisë dhe dhunës së heshtur.

“Kohët e fundit është folur për zëvendësimin e njeriut nga Inteligjenca Artificiale. Kam hamendësuar që pas disa vitesh qenia njerëzore mund të mos ekzistojë më si sot, por duhet të mbetet prania e saj,” tha artisti.

Ekspozita, e kuruar nga Massimo Scaringella, do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Artit Bashkëkohor në ambientet e Piramidës deri më 15 mars.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033