Lajmi i fundit: Trajneri Erion Xhafa largohet nga Lushnja

Pas katër barazimeve radhazi në nisje të sezonit, Erion Xhafa u largua nga drejtimi i SK Lushnja, ndërsa pritet emri i trajnerit të ri.

Starti i dobët në Kategorinë e Parë i ka kushtuar postin trajnerit Erion Xhafa, i cili nuk arriti të gjejë fitoren në katër javët e para me SK Lushnja. Barazimet e njëpasnjëshme ndezën pakënaqësinë e tifozëve dhe shtuan presionin mbi drejtuesit e klubit verdhejeshil.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se vendimi për t’u ndarë me Xhafën është marrë pas një analize të gjatë nga bordi dhe presidentja e klubit. Në ditët e ardhshme pritet të zyrtarizohet trajneri i ri që do të marrë drejtimin e skuadrës lushnjare, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Në një njoftim zyrtar, KF Lushnja sqaroi se dorëheqja e trajnerit ka ardhur për arsye personale. Klubi e cilësoi këtë moment jo vetëm si largim, por edhe si një rast reflektimi dhe falënderimi për kontributin e dhënë nga tekniku kryeqytetas.

“Erion Xhafa dha shpirtin, mundin dhe pasionin e tij në fushë për ngjyrat verdhejeshile,” thuhet në deklaratën e klubit, ku theksohet se ai nuk ishte vetëm udhëheqës teknik, por edhe një shembull frymëzues për futbollistët e rinj.

Klubi vlerësoi përkushtimin e tij si një profesionist që punoi me zemër për skuadrën dhe qytetin, duke i dhuruar tifozëve emocione dhe një frymë bashkimi rreth ekipit.

Në mbyllje të njoftimit, KF Lushnja i shprehu mirënjohje të pakufishme Xhafës për punën dhe kontributin e dhënë, duke e siguruar se Lushnja do të mbetet gjithmonë “shtëpia e tij”.

Largimi i trajnerit Xhafa hap tashmë një kapitull të ri për klubin lushnjar, që kërkon rikthimin e rezultateve pozitive dhe besimin e tifozërisë së zjarrtë.

Ndaj Postimin: