Laborator heroine në Has, Astrit Avdyli dënohet me 12 vite burg

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 12 vite burg Astrit Avdylin, i njohur si kreu i grupit të Shijakut, për përfshirjen në dosjen e laboratorit të heroinës të zbuluar në Has në vitin 2018.

Vendimi u shpall nga trupa gjykuese e përbërë nga Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri. Gjykata e deklaroi fajtor Avdylin për trafikim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve.

Në bashkim të dënimeve, Avdyli do të vuajë përfundimisht 12 vite burg, me ekzekutim në një burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit të tij.

Çështja lidhet me laboratorin e heroinës në fshatin Brenog të Hasit, ku në vitin 2018 u zbuluan sasi të konsiderueshme droge që përpunoheshin për tregun e huaj. Sipas hetimeve, grupi kishte futur të paktën 161 pako me heroinë nga Kosova, të cilat përpunoheshin në laborator dhe më pas planifikohej të transportoheshin drejt Durrësit dhe Italisë.

Për këtë dosje janë dënuar me rreth 125 vite burg në total 17 persona të tjerë.

Avdyli ishte dënuar më parë për këtë çështje, por vendimi ishte prishur nga Apeli i GJKKO-së dhe ishte rikthyer për rigjykim.

Ai u arrestua më 29 qershor 2024 me urdhër të SPAK, pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”. Gjatë arrestimit në vilën e tij në Shijak, u sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë, e cila me vendim gjykate kalon në favor të shtetit.

Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditëve nga komunikimi i arsyetimit të plotë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033