Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar projekt-rezolutën që shpall Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe asnjë kundër.
Votimi u zhvillua pa praninë e deputetëve të opozitës, pasi Partia Demokratike kishte njoftuar një ditë më parë se nuk do të merrte pjesë në seancë.
Opozita e cilësoi mbledhjen si të paligjshme, duke pretenduar se seanca u thirr pa rend dite të miratuar dhe si një “axhendë personale e kryeministrit Edi Rama”.
Rezoluta e miratuar dënon veprimet e Iranit që, sipas dokumentit, përfshijnë mbështetje për organizata të armatosura, aktivitete destabilizuese dhe sulme kibernetike, përfshirë edhe sulmin ndaj institucioneve shqiptare në vitin 2022.
Në përmbajtje, Kuvendi shpall Iranin si shtet që përdor mjete terroriste në politikën e jashtme, ndërsa dënon gjithashtu rolin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në mbështetjen e organizatave të cilësuara terroriste.
Rezoluta i bën thirrje qeverisë shqiptare të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe të ndërmarrë masa konkrete, përfshirë shpalljen e IRGC dhe Hezbollahut si organizata terroriste.
Gjithashtu, Kuvendi kërkon koordinim me vendet aleate dhe organizatat ndërkombëtare për të adresuar kërcënimet që lidhen me terrorizmin dhe sigurinë kibernetike.
Dokumenti rikonfirmon angazhimin e Shqipërisë ndaj paqes ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe sigurisë globale.