Kushtetuesja rrëzon shoqatën e ndërtuesve për pikat që ata ngritën mbi çmimet e referimit.

Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, e cila synonte të shfuqizonte disa pjesë të nenit që përcakton çmimet mesatare referuese për ndërtimin.

Sipas Gjykatës, argumentet e Shoqatës nuk kishin të bënin direkt me çmimet e referencës të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM), por më shumë me metodologjinë që përdoret për përllogaritjen e taksave duke përdorur çmimet e referencës si element përbërës të formulës.

Gjykata shpjegoi se formula e përllogaritjes së taksave nuk ishte pjesë e shqyrtimit të këtij gjykimi kushtetues. Ajo vërejti se Shoqata nuk arriti të paraqiste prova apo argumente bindëse që të tregonin se çmimet e reja të referencës në vetvete cenonin parimet kushtetuese.

Në lidhje me një detaj të veçantë në aneksin 2 të VKM-së, që përfshin një indeksim prej 0,2% për ndërtesat e reja për një periudhë pesëvjeçare, Gjykata vlerësoi se kjo nuk përbënte ndonjë paqartësi ligjore dhe përputhej me parimet e sigurisë juridike.

Gjykata argumentoi se ky nen ishte i qartë në formulimin e tij, duke përfshirë rregullimet për ndërtesat që nuk janë ambiente banimi dhe e vlerësoi atë si pjesë e metodologjisë së përcaktuar për taksat e ndërtesave.

Në një seancë plenare, Gjykata mori në shqyrtim të gjitha pretendimet e Shoqatës, përfshirë shqetësimet për çmimet mesatare referuese për metër katror sipërfaqe ndërtimi për bashkinë e Tiranës.

Shoqata pretendonte se rritja e taksave të ndërtesave kishte shkelur disa të drejta kushtetuese, duke përfshirë lirinë ekonomike, të drejtën e pronës private, dhe parimin e barazisë.

Gjykata vlerësoi se Shoqata e Ndërtuesve kishte të drejtë të ngrinte çështjen, pasi VKM-ja i prekte direkt ata si ndërtues, por në fund e hodhi poshtë kërkesën e tyre, duke e konsideruar të pabazuar.

Në shqyrtimin e ankesave për rregullimet mbi çmimet mesatare të referencës, Gjykata vuri në dukje se argumentet e Shoqatës kishin lidhje më shumë me metodologjinë e taksave sesa me vetë çmimet e referencës, që ishte edhe thelbi i objektit të gjykimit.

Gjithashtu, në lidhje me ankesat për cenimin e lirisë ekonomike dhe barazinë përpara ligjit, Gjykata vërejti se ato nuk kishin të bënin me çmimin e referencës, por më tepër me metodën e përllogaritjes së taksave.

Sa i përket dispozitës që kërkuesit kontestonin në aneksin 2 të VKM-së, Gjykata vlerësoi se ajo përputhej me delegimin ligjor të dhënë nga ligji për taksat vendore dhe se ishte në përputhje të plotë me parimet e përcaktuara në Kushtetutë.

Gjykata e konsideroi të pabazuar edhe pretendimin se dispozita ishte e paqartë apo nuk kishte delegim të qartë ligjor. Ajo shpjegoi se kjo dispozitë përfshin metodologjinë e taksave për ndërtesat, e cila është e qartë dhe e mirëpërcaktuar.

Në fund të shqyrtimit, për të gjitha arsyet e lartpërmendura, Gjykata vendosi të rrëzojë kërkesën e Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë.

Vendimi përfundimtar do të shpallet zyrtarisht dhe i arsyetuar brenda afateve të përcaktuara ligjore, sipas ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera