Gjykata Kushtetuese vendosi të mos kalojë në seancë plenare çështjen që lidhej me mënyrën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke lënë në fuqi procedurën e ndjekur nga Kuvendi.
Vendimi erdhi pas kërkesës së Ardiana Kalasë, e cila kërkoi konstatimin si antikushtetues dhe të paligjshëm të procedurës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit. Ajo kërkoi gjithashtu shpalljen e pavlefshme të procedurës dhe shfuqizimin e saj si të papajtueshme me Kushtetutën, në lidhje me zgjedhjen e bërë më 11 dhjetor 2025 nga Kuvendi i Shqipërisë.
Gjykata vendosi të mos i kalojë këto kërkesa në shqyrtim në seancë plenare, duke konfirmuar përfundimisht në detyrë Avokatin e Popullit, Endri Shabani.
Endri Shabani u zgjodh në këtë funksion më 11 dhjetor 2025 me votat e mazhorancës, duke marrë 85 vota pro, 0 abstenime dhe 3 vota kundër. Gjatë seancës së votimit, deputetët e opozitës u larguan nga salla para nisjes së procesit, duke lënë vendet e tyre bosh.
Më 12 janar, Partia Demokratike paraqiti në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për mënyrën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, por kjo kërkesë nuk u mor në shqyrtim nga Gjykata.