Shumë shkolla në vend vijojnë të përballen me lagështi, tualete të amortizuara dhe kushte të pamjaftueshme higjieno-sanitare, pavarësisht inspektimeve dhe deklaratave politike për standarde europiane.
Mjediset ku fëmijët kalojnë shumicën e ditës ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe shëndetin e tyre. Megjithatë, të dhënat e fundit nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e shkollave dhe çerdheve në vend ende përballen me probleme bazike higjienike. Ende ka klasa me lagështi, tualete të dëmtuara dhe mungesë të ujit të ngrohtë apo të rrjedhshëm.
Gjithë vitin 2024, trupat inspektuese të ISHSH kryen 12,365 inspektime dhe 765 riinspektime në shkolla, çerdhe, kopshte, universitete, konvikte, qendra shëndetësore dhe ambiente shërbimi. Qëllimi ishte sigurimi i kushteve të pranueshme higjieno-sanitare dhe mbrojtja e shëndetit publik, sidomos në mjedise ku rreziku është më i lartë, raporton Monitori.
Nga këto kontrolle, arsimi zë një pjesë të konsiderueshme me 4,033 inspektime dhe riinspektime vetëm në institucionet arsimore. Qarku i Tiranës rezulton me numrin më të lartë të kontrolleve (701), pasuar nga Vlora, Shkodra dhe Durrësi. Por pavarësisht inspektimeve intensive, problemet strukturore mbeten të thella.
Raporti tregon se shumë shkolla kanë ndërtesa të amortizuara, mure dhe dysheme të lagështa, tualete të dëmtuara dhe mungesë të pajisjeve sanitare bazë. Në disa çerdhe dhe kopshte janë konstatuar mangësi edhe në dokumentacionin shëndetësor të fëmijëve, përfshirë mungesën e vërtetimeve të vaksinimit dhe kontrolleve periodike.
Gjatë vitit janë vendosur 7 gjoba, 6 vendime për mbyllje të përkohshme dhe 439 paralajmërime për mospërputhje me standardet. Këto tregojnë se në shumë raste rregullat nuk zbatohen në praktikë, por vetëm në letër.
Raporti thekson se, ndonëse ndërgjegjësimi për higjienën është rritur, infrastruktura arsimore dhe mirëmbajtja e ambienteve të mësimit mbeten problem i vazhdueshëm. Për shumë shkolla, zbatimi i standardeve shëndetësore ende shihet si detyrim formal dhe jo si domosdoshmëri në mbrojtje të fëmijëve.


