Tregu i fruta-perimeve në disa qarqe të vendit ka funksionuar për një periudhë të gjatë nën një skemë të bashkërenduar mes gjashtë subjekteve grumbulluese, të cilat, sipas një hetimi të thelluar, kanë vepruar si kartel, duke diktuar çmimet e blerjes dhe duke dëmtuar drejtpërdrejt fermerët.
Subjektet e përfshira janë: Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi Person Fizik, Besim Thaqi Person Fizik, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK. Këto kompani dhe sipërmarrësit që qëndrojnë pas tyre rezulton se kanë bashkërenduar veprimet për të kontrolluar tregun me shumicë të fruta-perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.
Nga hetimi është konstatuar se këto subjekte kanë vepruar në mënyrë të organizuar, duke rënë dakord për çmimet e blerjes gjatë periudhave të ndryshme të sezonit bujqësor. Kjo sjellje ka çuar në uljen artificiale të çmimeve në dëm të fermerëve, ndërkohë që vetë grumbulluesit kanë aplikuar një mark-up shumë të lartë, deri në 115%, nga çmimi i blerjes deri te ai i shitjes.
Veprimet e bashkërenduara të këtyre subjekteve përbëjnë marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003, duke u cilësuar si shkelje e rëndë e konkurrencës. Për këtë arsye janë vendosur gjoba financiare që arrijnë deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Sipas të dhënave të verifikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronarët e subjekteve të përfshira janë:
– Faton Morina, pronar i “Omer Fruit”, në Lushnjë;
– Nedrete Arapi, pronare e “Nedrete Arapi Person Fizik”, në Lushnjë;
– Besim Thaqi, pronar i “Besim Thaqi Person Fizik”, në Fier;
– Bekim Morina, pronar i “Morina Agriculture Group”, në Fier;
– Nuri Zela, pronar i “Fruit-To-Zela”, në Fier;
– Roland Vrapi, pronar i “Roland-2012 SHPK”, në Berat.
Falë fuqisë së tyre të madhe negociuese, këta grumbullues kishin krijuar një realitet tregu ku fermerët përballeshin me çmime të diktuara dhe të njëjta, mungesë të plotë të hapësirës për negocim, varësi të theksuar nga një numër i kufizuar blerësish, si dhe presione të vazhdueshme për uljen e çmimeve. Në shumë raste, fermerët përballeshin edhe me vonesa në shlyerjen e pagesave për produktet e dorëzuara.
Në praktikë, kjo do të thoshte se gjashtë grumbulluesit kishin “rënë dakord” për nivelin e çmimit të blerjes, duke e mbajtur atë në minimum. Si pasojë, fermerët nuk kishin alternativa të tjera për të shitur prodhimin e tyre, pasi të gjithë blerësit ofronin të njëjtin çmim, shpeshherë gati përtokë.
Në këto kushte, fermerët ishin të detyruar ose ta shisnin prodhimin pothuajse pa asnjë fitim, ose ta linin të pashitur, duke humbur gjithçka. Një situatë që nxjerr në pah jo vetëm pabarazinë e fortë në marrëdhëniet tregtare, por edhe pasojat e rënda që sjell mungesa e konkurrencës së ndershme në sektorin bujqësor.


