Kryeministri Kurti: FSK-ja është sot më e fortë se kurrë, me arsenal të ri dhe mbështetje nga aleatët ndërkombëtarë
Në një ceremoni të zhvilluar këtë të shtunë, 350 rekrutë të rinj bënë betimin për t’iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës, si pjesë e gjeneratës së dytë për vitin 2025. Aktiviteti u organizua në prani të zyrtarëve të lartë shtetërorë, ku u përçua një mesazh i qartë për zhvillimin dhe modernizimin e ushtrisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij, theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës po shndërrohet me ritme të shpejta në një ushtri moderne, të përgatitur dhe shumëetnike. Ai tha se ushtria e Kosovës garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke e cilësuar si “të pathyeshme”.
Kurti shtoi se në një kohë me sfida globale të sigurisë, Kosova nuk është vetëm. “Jemi të mbështetur nga partnerët strategjikë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë. Ushtria jonë është profesionale, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe e pajisur me teknologji të fundit”, deklaroi ai.
Ai bëri të ditur gjithashtu se FSK-ja është më e pajisur se kurrë më parë, ndërsa brenda dy viteve do të nisë ndërtimi i fabrikës shtetërore për prodhimin e municioneve. Sipas tij, kjo do të fuqizojë kapacitetet ushtarake të Kosovës dhe do ta bëjë FSK-në një partnere të besueshme në rajon.
Ceremonia u shoqërua me ndarjen e mirënjohjeve për rekrutët më të dalluar, instruktorët dhe togerët. Me këtë prurje të re, numri i rekrutëve të vitit 2025 arrin në 694, duke treguar angazhimin e vazhdueshëm për fuqizimin e trupave të FSK-së.
Deklaratat e Kurtit vijnë në një kohë kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendoi se Serbia ka ushtrinë më të fuqishme në rajon dhe se ka bërë blerje të fshehta armësh ndër vite. Ai akuzoi Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin për formim të një aleance ushtarake rajonale, duke përmendur përpjekjet për të përfshirë edhe Sofjen.
Në këtë sfond tensioni verbal, fjalimi i Kurtit përforcoi mesazhin e sigurisë dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë, ndërsa theksoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar një ushtri të denjë dhe moderne që i përgjigjet çdo sfide.