Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nderuar viktimat e masakrës së fshatit Kotlinë në Kaçanik, duke kujtuar ngjarjet tragjike të 24 marsit 1999. Në atë kohë, Brigada e Mekanizuar 243 e Ushtrisë Jugosllave, me mbështetje nga njësitet speciale të policisë serbe, rrethuan fshatin dhe realizuan krime të tmerrshme ndaj civilëve.
Në këtë masakër, policia serbe vrau tri të moshuara dhe ua dogji trupat. Më pas, në mesditë, gratë, fëmijët dhe të moshuarit u transportuan me kamionë në Kaçanik, ndërsa burrat u dërguan në Ferizaj, ku u torturuan dhe më pas u dëbuan drejt Maqedonisë. Gjatë këtij sulmi, pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit Kotlinë, përfshirë shkollën dhe ambulancën, u dogjën.
Një tjetër akt barbar ishte rrëmbimi i 35 djemve të rinj nga ushtarët serbë, të cilët i dërguan në një zonë malore të fshatit. Gjashtë prej tyre shpëtuan, ndërsa 22 të tjerët u ekzekutuan. Trupat e viktimave u hodhën në dy puse dhe pas luftës, ekipi i mjekësisë ligjore zbuloj varreza masive, ku u gjetën trupat e pajetë në vitin 1999.
Në vitin 2011, Vllastimir Gjorgjeviq, ish-zyrtar i lartë i policisë serbe, u akuzua dhe u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) për krimet e kryera në Kotlinë, përfshirë vrasjen e shqiptarëve. Fillimisht ai u dënua me 27 vjet burg, por në vitin 2014, dhoma e Apelit e ICTY-së ia uli dënimin në 18 vjet.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se Serbia do të mbahet përgjegjëse për krimet që ka kryer në Kosovë, si gjatë ashtu edhe pas luftës. Ai theksoi rëndësinë e drejtësisë, duke nënvizuar se Serbia do të mbetet nën përgjegjësi, para drejtësisë vendore, ndërkombëtare dhe historisë moderne të Evropës.
Kryeministri i Kosovës përfundoi duke theksuar se viktimat e masakrës së Kotlinës do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, bashkë me ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Ai u shpreh se përpjekjet për drejtësi dhe përkujtim do të vazhdojnë, dhe se historia e masakrës do të jetë një kujtesë për të gjithë.