Shqipëria zbret sot në fushë në orën 18:00 ndaj Anglisë, në një ndeshje të rëndësishme ku stafi teknik synon të ruajë lojtarët e rrezikuar për gjysmëfinalen e “play off”-it të Botërorit 2026.
Shqipëria mbyll sot fazën e ndeshjeve të Grupit K duke sfiduar Anglinë, një duel që pritet me interes të madh dhe që vjen në një moment ku kuqezinjtë kërkojnë të ruajnë balancat për fazën vendimtare të kualifikueseve. Fillimisht u diskutua se trajneri Silvinjo mund të testonte skema të reja, por stafi teknik ka vendosur të mos rrezikojë për shkak të lojtarëve të ndodhur në prag pezullimi.
Pesë futbollistë të rëndësishëm, Mario Mitaj, Juljan Shehu, Rei Manaj, Arlind Ajeti dhe Nedim Bajrami janë vetëm një karton larg mungesës në gjysmëfinalen e “play off”-it. Për këtë arsye, ata pritet të mos aktivizohen që në minutën e parë, me synimin që ekipi të jetë i plotë në fazën vendimtare.
Silvinjo dhe stafi i tij janë fokusuar në një qasje të kujdesshme, duke ruajtur ekuilibrat dhe duke i dhënë përparësi sigurisë së grupit para eksperimentimeve. Përballë Anglisë, që mbyll grupin si favorite absolute, Shqipëria kërkon të japë një paraqitje dinjitoze dhe të ruajë ritmin për ndeshjet që vendosin fatin e Botërorit.
Formacioni i mundshëm i kuqezinjve për sfidën e sotme pritet të jetë një kombinim mes sigurisë në prapavijë dhe tentativave për befasim në sulm. Një 11-she që synon të shmangë dëmtimet dhe kartonët, por gjithashtu të përmbushë objektivat taktike të stafit teknik.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë:
Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Ismajli, Aliji; Laçi, Asllani, Berisha; Broja, Daku, Uzuni.
Me këtë rreshtim, kuqezinjtë synojnë të përballen me Anglinë pa ulur ritmin dhe duke ruajtur energjitë për ndeshjen e cila do të vendosë rrugëtimin drejt Botërorit 2026.


