Kuqezinjtë gati për sfidën e madhe ndaj Andorrës

Kombëtarja shqiptare ka plotësuar grupin në Spanjë dhe vijon përgatitjet për ndeshjen vendimtare ndaj Andorrës, ku fitorja mund ta afrojë me ëndrrën e “Play Off”-it të Botërorit.

Kombëtarja shqiptare ndodhet prej dy ditësh në Barcelonë, ku ka ngritur bazën stërvitore në prag të përballjes me Andorrën më 13 nëntor. Objektivi është i qartë: vendi i dytë në grup dhe kualifikimi historik në “Play Off” të Kupës së Botës. Kuqezinjtë shpresojnë gjithashtu që Anglia të mundë Serbinë në Londër për të forcuar shanset e tyre.

Pas mbërritjes në Spanjë, grupi është kompletuar plotësisht nën drejtimin e trajnerit Silvinjo. Daku, Strakosha dhe Bajrami iu bashkuan ekipit pasditen e së hënës, duke zhvilluar menjëherë seancën e parë stërvitore me skuadrën. Trajneri brazilian ka tashmë në dispozicion të gjithë lojtarët e tij në gjendje optimale.

Në seancën e fundit, Silvinjo ka punuar me qetësi për zbatimin e programit të plotë stërvitor, duke u fokusuar në përgatitjen taktike dhe ushtrimet fizike. Për fat të mirë, askush nga lojtarët nuk vuan nga dëmtime apo shqetësime shëndetësore, një faktor kyç për ndeshjen më të rëndësishme të këtij cikli eliminator.

Stërvitja e kuqezinjve është ndarë në dy faza: fillimisht punë në palestër për forcim fizik, më pas ushtrime taktike dhe skema të goditjeve standarde, që mund të bëjnë diferencën në përballjen ndaj një kundërshtari të fortë në mbrojtje si Andorra.

Sipas planit të hartuar nga stafi teknik, ekipi do të udhëtojë pasditen e sotme drejt Andorrës, ku do të qëndrojë i grumbulluar deri në ditën e ndeshjes. Pas mbërritjes, skuadra do të zbresë në fushë për seancën e fundit stërvitore para përballjes.

Në orën 17:00 është planifikuar konferenca zyrtare për shtyp, ku trajneri Silvinjo do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve përkrah një prej lojtarëve të Kombëtares. Me shumë gjasa, në krah të tij do të jetë kapiteni Berat Gjimshiti, simboli i lidershipit dhe stabilitetit në mbrojtje.

Kombëtarja shqiptare udhëton drejt Andorrës me moral të lartë dhe me një përgatitje fizike të shkëlqyer. Pjesa më e madhe e lojtarëve janë aktivë dhe titullarë në klubet e tyre, duke garantuar ritëm dhe konkurrencë të lartë.

Të vetmit me më pak minuta janë Elseid Hysaj te Lazio dhe Armando Broja te Burnley, por të dy kanë dëshmuar gjithmonë përkushtim maksimal kur veshin fanellën kuqezi. Stafi teknik është i bindur se edhe ata janë gati për të dhënë kontributin e tyre në këtë sfidë delikate.

Kombëtarja shqiptare hyn në këtë ndeshje me një qëllim të vetëm: fitoren. Një sukses ndaj Andorrës do ta mbante Shqipërinë në garë për një nga momentet më të mëdha të historisë së saj futbollistike – pjesëmarrjen në “Play Off”-in e Kupës së Botës.

Ndaj Postimin: