Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Kukës, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, në kuadër të një operacioni policor të zhvilluar për goditjen e veprimtarisë kriminale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt përfitimit financiar.
Operacioni i koduar “Relay” çoi në ndalimin e shtetasve B.M., 56 vjeç, dhe M.M., 24 vjeç, të cilët u kapën teksa transportonin me dy automjete gjithsej 12 emigrantë të paligjshëm. Sipas të dhënave, emigrantëve u ishte premtuar kalimi nga kufiri grek drejt vendeve të Bashkimit Europian, kundrejt shpërblimit monetar.
Në vijim të veprimeve hetimore, autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar, shtetasit Sh.K., 40 vjeç, dhe E.S., 22 vjeç. Puna vijon për lokalizimin dhe kapjen e tyre, si dhe për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Gjatë operacionit u sekuestruan dy automjete dhe dy aparate celulare, të cilat do të shërbejnë si prova materiale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.


