Kufizimi i çmimeve, hotelet europiane nisin padi kolektive kundër Booking.com

Mbi 10,000 hotele evropiane kërkojnë kompensim për dëmet nga klauzolat e “çmimit më të mirë” të vendosura nga platforma Booking.com gjatë 20 viteve të fundit.

Pronarët e hoteleve në Europë kanë nisur një padi kolektive kundër platformës online Booking.com, duke kërkuar dëmshpërblim për humbjet financiare të shkaktuara nga klauzolat që ndalonin uljen e çmimeve jashtë platformës.

Sipas Shoqatës së Hoteleve, Restoranteve dhe Kafeneve në Europë (HOTREC), mbi 10,000 hotele i janë bashkuar kësaj padie, që përfshin periudhën nga viti 2004 deri në 2024. Klauzolat e njohura si “çmimi më i mirë” u pengonin hoteleve që të ofronin dhoma me çmime më të ulëta në faqet e tyre apo platforma të tjera.

Kjo iniciativë mbështetet nga 30 shoqata kombëtare hoteliere, përfshirë edhe Shoqatën Gjermane të Hoteleve (IHA). Booking.com përdori këto klauzola për të shmangur fenomenin e rezervimeve “free-rider”, ku klienti gjen një hotel në platformë, por bën rezervimin direkt në hotel.

Në vitin 2024, Booking.com hoqi këto klauzola pas miratimit të Aktit të Tregjeve Dixhitale nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi se platformat online nuk mund të impononin kufizime të tilla mbi partnerët e tyre.

Alexandros Vassilikos, president i HOTREC, theksoi se hoteleve europiane u është krijuar një situatë e padrejtë dhe kostot e tyre janë rritur ndjeshëm për shkak të këtyre praktikave.

Nga ana e saj, Booking.com deklaroi se nuk ka marrë ndonjë padi zyrtare dhe hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se partnerët e tyre kanë lirinë e plotë për të vendosur çmimet dhe mënyrat e shpërndarjes që preferojnë.

Ndaj Postimin: