Bashkia Kuçovë ka nisur punimet për rikonstruksionin e rrugës Magjatë–Perondi, një aks me rëndësi për lidhjen midis qytetit dhe qendrave administrative. Prej disa ditësh, mjetet dhe punonjësit janë në terren për të përgatitur bazamentin dhe më pas asfaltimin e këtij segmenti rrugor, i cili për një kohë të gjatë ka qenë një shqetësim për banorët e zonës.
Projekti synon jo vetëm përmirësimin e infrastrukturës rrugore, por edhe rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin lokal, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve, si dhe duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës.
Ky investim vjen si pjesë e angazhimit të Kryetarit të Bashkisë Kuçovë, z. Kreshnik Hajdari, për të realizuar premtimet e dhëna dhe për të sjellë ndryshime konkrete në çdo lagje dhe fshat të njësisë vendore. Rruga e Magjatës është vetëm një nga shumë segmentet që janë përfshirë në planin e ndërhyrjeve infrastrukturore.
Banorët e zonës janë shprehur të kënaqur për nisjen e punimeve, duke theksuar se kjo rrugë do t’i japë fund problemeve të përditshme të qarkullimit, sidomos gjatë stinës së reshjeve.
“Një tjetër premtim që merr formë,” është mesazhi që përcjell Bashkia Kuçovë, ndërsa puna në terren vijon me ritme të shpejta për ta përfunduar sa më shpejt këtë investim të rëndësishëm për zonën.
Nga: Ndriçim Gjoshi


