Nga: Ndriçim Gjoshi
Kuçova, qyteti i njohur për historinë e naftës dhe atraksionet unike, po kthehet në një prej pikave më të vizituara të Beratit, falë investimeve në infrastrukturë, parqe dhe monumente kulturore, duke tërhequr turistë vendas dhe të huaj gjatë gjithë vitit.
Qyteti i vogël i Kuçovës, dikur i njohur vetëm për industrinë e naftës, sot është pozicionuar si një prej destinacioneve më të veçanta turistike në qarkun e Beratit. Në vitet e fundit, investimet e shumta nën kujdesin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari kanë përmirësuar ndjeshëm pamjen urbane, infrastrukturën dhe parkun e qytetit, duke i dhënë një hov të ri turizmit.
Kuçova dallon për karakteristikat e saj unike, të cilat e bëjnë një zgjedhje të preferuar për turistët që kërkojnë eksperienca të ndryshme. Aeroporti, i ndërtuar në vitet ’70, dhe rrugët e gjata me shkallë të veçanta, janë vetëm disa prej atraksioneve që vijnë në vëmendje të vizitorëve.
Në qytet gjenden gjithashtu disa pika me rëndësi të madhe kulturore dhe historike, si Muzeu i Aviacionit Shqiptar, që ruan trashëgiminë e fluturimit në vend, dhe sitet e arkeologjisë industriale, që tërheqin studiues dhe kuriozë të historisë së teknologjisë.
Kuçova është i njohur edhe si destinacioni i parë për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës në Shqipëri, një fakt që i jep qytetit një identitet të veçantë. Parku qendror, ndër më simpatikët në vend, dhe shkallaret më të gjata në Shqipëri, me plot 137 shkallë, janë bërë një magnet për vizitorët.
Për adhuruesit e kulturës dhe trashëgimisë, Kuçova ofron mundësinë për të vizituar kishat historike të Perondisë dhe Kozarës, si dhe për të shijuar kulinarinë e zonës, që gjithnjë vlerësohet nga turistët.
Agjencitë turistike kanë përfshirë tashmë Kuçovën në guidat e tyre, duke ofruar ture të organizuara për të njohur më nga afër qytetin e naftëtarëve. Kamera e TV Apollon iu drejtua drejtoreshës së kulturës në Bashkinë Kuçovë, Klodiana Misto, e cila vuri në dukje potencialin dhe resurset turistike të qytetit, duke theksuar se gjithnjë e më shumë vizitorë zgjedhin Kuçovën si destinacion për fundjavë ose për udhëtime ditore.
Të gjitha këto zhvillime e kanë kthyer Kuçovën në një qendër të re të turizmit kulturor dhe industrial në Shqipëri, duke sjellë një perspektivë të re për të ardhmen e këtij qyteti të veçantë.