Kryetari i Partisë Agrare Ambjentaliste zoti Agron Duka, takim me banorët e fshatit Barbullimë.

Në kuadër të nismës “Të Shpëtojmë Fshatin nga Braktisja,” kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, zoti Agron Duka, zhvilloi një takim të ngrohtë dhe të drejtpërdrejtë me banorët e fshatit Barbullime.

Qëllimi ishte diskutimi mbi sfidat që po përballen fermerët dhe identifikimi i zgjidhjeve për të përmirësuar jetesën në këtë zonë.

Banorët, të cilët në këtë sezon janë përfshirë intensivisht në prodhimin e agrumeve, po përballen me vështirësi të shumta. Ndër sfidat kryesore që ata ndeshin janë mungesa e fuqisë punëtore dhe vështirësitë për të gjetur treg për produktet e tyre. Çmimet e ulëta i detyrojnë fermerët të shesin prodhimet shpesh nën kosto, gjë që çon në humbje të mëdha për ekonomitë e tyre familjare.

Zoti Duka nënvizoi se situata në zonat bujqësore të Myzeqesë kërkon një qasje të re dhe të përkushtuar për të mbështetur fermerët, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe duke u afruar më shumë me ta. Sipas tij, ekipi ka vendosur të mbajë kontakte të vazhdueshme me fermerët, veçanërisht në zonat me prodhimtari të lartë, për të kuptuar më mirë problemet që ata ndeshin çdo ditë.

Fermerët e pranishëm në takim shprehën shqetësimin e tyre për çmimet e ulëta, që nuk mbulojnë shpenzimet e prodhimit. Ata vënë në dukje se humbjet e vazhdueshme i vendosin në pozitë të vështirë dhe i shtyjnë të mendojnë për braktisjen e fshatit. Takimi synoi të ofrojë zgjidhje konkrete që të lehtësojnë presionet ekonomike që ndihen në fermat e tyre.

Duka premtoi se do të angazhohet për të përmirësuar kanalet e shpërndarjes dhe tregtimit të agrumeve, si dhe për të siguruar mbështetje për subvencione që do të ndihmojnë në rritjen e të ardhurave të fermerëve. Ai shtoi se zhvillimi rural dhe mbështetja për fermerët do të jenë prioritet në punën e tij të mëtejshme.

Nisma “Të Shpëtojmë Fshatin nga Braktisja” synon të krijojë kushte të qëndrueshme për fermerët, duke forcuar ekonominë lokale dhe duke ndihmuar që këta banorë të ndihen të mbështetur për të qëndruar në fshatin e tyre, duke i dhënë jetë komunitetit rural në Shqipëri.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera