Kryetari i grupit Poloni Shqipëri: Integrimi europian është garanci, Polonia mbështet Shqipërinë

Kryetari i Grupit Parlamentar Poloni Shqipëri në parlamentin polak, Bartosh Romoviç, gjatë një vizite në Pogradec, ka theksuar mbështetjen e Polonisë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ai u shpreh se përvoja e Polonisë në procesin e integrimit është një udhërrëfyes i vlefshëm për vendet që ndodhen në të njëjtën rrugë.

Sipas tij, Shqipëria duhet të ndjekë rrugën më efikase të mundshme për të shmangur gabimet që kanë bërë shtetet e tjera gjatë procesit të anëtarësimit. Romoviç theksoi se Polonia është gjithnjë e gatshme të ndajë eksperiencën e saj dhe të mbështesë vendin tonë në çdo hap.

Ai u ndal edhe te rritja e interesit të turistëve polakë për Shqipërinë, duke e konsideruar këtë një shenjë të qartë të afrimit mes dy vendeve dhe të potencialit të madh turistik që vendi ynë ofron.

Sa i përket konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, deputeti polak deklaroi se nuk duhet bërë asnjë lëshim territorial dhe se ndihma për Ukrainën duhet të vazhdojë pa hezitim. Sipas tij, çdo kompromis i tillë do të ishte inkurajim për regjimet autoritare.

Ai shtoi se mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën është thelbësore, jo vetëm nga Polonia, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara, por nga e gjithë bota, pasi stabiliteti global është interes i përbashkët.

Deklaratat, Romoviç i dha gjatë inaugurimit të stacionit të ri të shërbimit zjarrfikës në Pogradec.

Ndaj Postimin: