Kryepeshkopi Joan Uron Besimtarët Muslimanë për Fitër Bajramin: Bashkëjetesa Fetare, Pasuria Jonë më e Madhe

Kryepeshkopi Joan ka vizituar sot selinë e Komunitetit Musliman në Tiranë me rastin e Fitër Bajramit, duke u uruar besimtarëve festën e shenjtë muslimane. Gjatë vizitës, ai është pritur nga Kryetari i Komunitetit Musliman, Bujar Spahiu, në një atmosferë miqësore dhe festive.

Në fjalën e tij, Kryepeshkopi Joan theksoi rëndësinë e bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga pasuritë më të mëdha të vendit. Ai e vlerësoi këtë bashkëjetesë si një shembull të shkëlqyer që duhet të përçojmë brezave që do të vijnë, duke theksuar se kjo vlerë duhet ruajtur dhe kultivuar siç janë kujdesur për të paraardhësit tanë dhe drejtuesit e mëparshëm të komuniteteve fetare.

“Si çdo pasuri, duhet të kujdesemi për të, dhe kjo nuk është vetëm përgjegjësi e klerikëve të secilit komunitet fetar, por e gjithë shoqërisë. Të gjithë duhet të japim kontributin tonë për ta ruajtur dhe zhvilluar këtë bashkëjetesë”, tha Kryepeshkopi gjatë vizitës.

Ai shtoi se përpjekjet për të mbajtur dhe promovuar bashkëjetesën fetare janë të rëndësishme dhe se Perëndia nuk do të gjykojë vetëm për rezultatet që arrijmë, por edhe për përpjekjet që bëjmë për të ruajtur dhe përhapur këtë vlerë të madhe. Kryepeshkopi Joan e cilësoi bashkëjetesën fetare si një mision të përbashkët, ku secili kontribuon për harmoninë dhe unitetin e shoqërisë.

Takimi u zhvillua në një atmosferë mjaft miqësore, me pjesëmarrjen edhe të Monsinjor Arjan Dodaj, kreut të Arqidioqezës së Tiranës dhe Durrësit të Komunitetit Katolik. Të gjithë të pranishmit shprehën angazhimin e tyre për të vazhduar punën e bashkëjetesës fetare dhe për të ruajtur një Shqipëri të bashkuar në diversitetin e saj fetar.

Kryepeshkopi Joan, gjatë vizitës së tij, u shpreh se festa e Fitër Bajramit është një mundësi për të theksuar më shumë vlerat e bashkëjetesës dhe harmoni ndërfetare, një mesazh i rëndësishëm për të gjithë besimtarët në Shqipëri.

Ndaj Postimin: