Kryeministri i Groenlandës deklaron se vendi nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka deklaruar se Groenlanda nuk është në shitje dhe se nuk dëshiron të jetë pjesë apo nën qeverisjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deklarata u bë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen.

Reagimi i Nielsen vjen pas deklaratave të presidentit amerikan, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e një ndërhyrjeje ushtarake në ishull. Kryeministri i Groenlandës theksoi se vendi i tij ka një zgjedhje të qartë për të ardhmen.

Ai u shpreh se, nëse Groenlanda do të vihej përballë një zgjedhjeje mes SHBA-së dhe Danimarkës, do të zgjidhte të mbetej pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Sipas tij, pozicioni i Groenlandës është i pandryshueshëm dhe i bazuar në vullnetin e popullit.

“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë: Groenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi të SHBA-së, nuk dëshiron të qeveriset nga SHBA-ja dhe nuk dëshiron të jetë pjesë e SHBA-së. Ne zgjedhim Groenlandën që njohim sot, si pjesë e Mbretërisë së Danimarkës”, deklaroi Nielsen.

Ndërkohë, autoritetet daneze kanë konfirmuar se zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, do t’u bashkohet bisedimeve të planifikuara mes përfaqësuesve të Danimarkës, Groenlandës dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Takimi pritet të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë.

Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, bëri të ditur se takimi është kërkuar për të diskutuar deklaratat e përsëritura nga zyrtarë amerikanë lidhur me ambicien për të ushtruar kontroll mbi Groenlandën. Ai shtoi se çështjet e sigurisë në Arktik do të jenë pjesë e diskutimeve të ardhshme.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, njoftoi gjithashtu se do të zhvillojë një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për të diskutuar sigurinë në dhe përreth Arktikut, takim ku do të marrë pjesë edhe ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033