Kryeministri britanik pritet të dorëhiqet të hënën, dy vjet pasi fitoi thellë zgjedhjet

Keir Starmer pritet të njoftojë të hënën se do të japë dorëheqjen si kryeministër, pas presionit dërrmues nga deputetët laburistë që ai t’i hapë rrugën Andy Burnham për t’u bërë lider i Partisë Laburiste.

Kryeministri dhe aleatët e tij kishin këmbëngulur për javë të tëra se do të përballeshin me çdo sfidë për lidershipin nga Burnham apo kushdo tjetër, përpara zgjedhjeve të pjesshme në Makerfield, ku Burnham siguroi rikthimin e tij në Parlamentin britanik.
Por të dielën në mëngjes, ministri i Biznesit, Peter Kyle, deklaroi për Sky News se Starmer po e kalonte fundjavën “duke gjetur kohë për të reflektuar mbi realitetet politike” me të cilat përballet.
Duke folur në emër të qeverisë, Kyle refuzoi të tregonte se cilat mendonte se ishin planet e Starmerit apo çfarë i kishte kërkuar kryeministrit të bënte.
I pyetur nëse Starmer planifikonte të largohej të hënën, Kyle tha se nuk kishte asnjë arsye të besonte se kjo do të ndodhte. Ai shtoi se Starmer do të reflektonte mbi “çfarë do të thotë të vendosësh vendin mbi gjithçka në një moment si ky”.
Ai nuk e kundërshtoi idenë se një ndryshim në Downing Street mund të ishte i afërt pas fitores së madhe të Burnham në zgjedhjet e pjesshme të së enjtes.

Duke thënë se kishte folur gjatë me Starmer të premten, Kyle deklaroi:
“Ajo që di me siguri është se ai ka zhvilluar biseda me një gamë shumë, shumë të gjerë njerëzish, përfshirë edhe mua, dhe se po punon shumë gjatë këtij fundjave.
Mendoj se ai po gjen kohë për të reflektuar mbi realitetet politike, sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet. Besoj se kjo është pikërisht ajo që njerëzit presin që ai të bëjë në një moment si ky.”
Downing Street mohoi se Starmer po planifikonte të largohej, duke deklaruar se pozicioni i tij mbetej i pandryshuar që nga e premtja.
Pasi kryetari i Greater Manchester-it, Andy Burnham, fitoi zgjedhjet e pjesshme të së enjtes me një diferencë të konsiderueshme ndaj Reform UK, duke siguruar një shumicë prej më shumë se 9,000 votash dhe mbi 50% të votës totale, ekipi i tij besonte se gëzonte mbështetjen e rreth 200 deputetëve laburistë, afërsisht gjysmës së grupit parlamentar të Partisë Laburiste.
Që atëherë, ky numër është rritur më tej, ndërsa Burnham është bërë gjithnjë e më i bindur se mund të ketë një kalim të drejtpërdrejtë në krye të partisë, duke marrë drejtimin e Laburistëve dhe rrjedhimisht postin e kryeministrit pa pasur nevojë për një garë formale për lidershipin.
Sipas këtij skenari, Starmer do të shpallte një kalendar relativisht të shpejtë për largimin e tij nga posti.
Largimi i mundshëm i Keir Starmer do ta vendoste Mbretërinë e Bashkuar përballë një tjetër ndryshimi në krye të qeverisë, duke e çuar numrin e kryeministrave në shtatë brenda një dekade. Një zhvillim i tillë do të vinte vetëm dy vjet pasi lideri laburist udhëhoqi partinë drejt një fitoreje bindëse në zgjedhjet e përgjithshme, duke siguruar një shumicë parlamentare prej 174 deputetësh dhe duke i dhënë fund një periudhe të gjatë qeverisjeje konservatore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033