Kryemadhi ironizon në seancë: “Kur thoni se babai im falsifikonte dokumente, unë protestoja për Fatos Nanon”

Seanca paraprake në procesin ndaj Monika Kryemadhit dhe të pandehurve të tjerë është shoqëruar me tone ironike nga ish-deputetja, e cila kundërshtoi akuzat e SPAK-ut.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi ironizoi pretendimet e prokurorisë, duke deklaruar: “Kur ju pretendoni që babai im ka falsifikuar dokumentet e banesës, unë dilja në protestë për të liruar Fatos Nanon dhe më pas dashuroja Ilir Metën”.

Ajo hodhi poshtë ekspertizën financiare të Prokurorisë së Posaçme lidhur me të ardhurat e saj dhe të Ilir Metës, duke kërkuar riekspertim financiar.

Kryemadhi kërkoi gjithashtu rikthimin e telefonit të sekuestruar, duke pretenduar se është marrë në kundërshtim me procedurën, pasi në atë kohë ishte deputete. Gjykata pranoi këtë kërkesë.

Sa i përket kërkesave për rikthimin e çështjes për hetime të mëtejshme, përfshirë marrjen në pyetje të Ardian Shatkut dhe përfaqësuesve të GSI, vendimi do të shpallet më 5 mars.

Në seancë, Kryemadhi kërkoi gjithashtu që të hapen mesazhet dhe komunikimet me Edi Ramën për ligjin e minierave.

Edhe Ilir Meta, i cili kishte paraqitur më herët qëndrimin e tij, ka pretenduar se hetimi është i motivuar politikisht. “Unë jam këtu për shkaqe politike”, është shprehur Meta, ndërsa përfaqësuesi i tij ligjor theksoi se në dosje nuk ka dokument të firmosur nga ai.

Gjatë ditës u dëgjuan edhe parashtrimet e Pirro Xhixhos, Ema Çokut dhe Fatime Kryemadhit. Më herët, SPAK ka kërkuar kalimin për gjykim për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033