Monika Kryemadhi ka deklaruar se Partia e Lirisë ndodhet drejt shuarjes, duke e cilësuar këtë zhvillim si pasojë të një procesi të qëllimshëm kriminalizimi politik. Në një intervistë televizive, ajo e lidhi drejtpërdrejt situatën e partisë me arrestimin e Ilir Metës, të cilin e përshkroi si rezultat të një marrëveshjeje mes dy forcave kryesore politike në vend.
Duke folur për rrugëtimin e Partisë së Lirisë, Kryemadhi tha se ka investuar gjithçka në këtë projekt politik dhe se sot e sheh të goditur jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë personal. Ajo theksoi se familjarë të saj, përfshirë bashkëshortin dhe nënën, ndodhen përballë drejtësisë, çka sipas saj synon diskreditimin e një force politike që kërkonte aleanca dhe ofronte një alternativë të re në skenën politike shqiptare.
Gjatë intervistës, Kryemadhi shprehu shqetësim për mënyrën se si funksionon sistemi i drejtësisë, duke theksuar se një pjesë e madhe e të burgosurve ndodhen në paraburgim. Ajo deklaroi se situata aktuale tregon një realitet ku, sipas saj, vendi është kthyer në “Republikë të SPAK-ut”.
E pyetur për mungesën e një alternative të besueshme opozitare, Kryemadhi u shpreh se problemi nuk qëndron te mungesa e figurave politike, por te mënyra se si ndërtohet veprimi politik dhe mungesa e qëndrueshmërisë në vendimmarrje.
Akuza më e fortë e saj lidhej me arrestimin e Ilir Metës. Kryemadhi deklaroi se burgosja e tij nuk ka ardhur si rezultat i një procesi të pavarur ligjor, por si produkt i një pazari politik mes dy partive të mëdha, me qëllim, sipas saj, vazhdimin e aferave dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë.
Ajo pranoi se si ajo ashtu edhe Meta kanë bërë gabime gjatë karrierës së tyre politike, por i cilësoi ato si tejkalime të kufijve për të ndihmuar qytetarë në nevojë. Sipas Kryemadhit, veprime që më parë konsideroheshin normale në funksion të shërbimit publik, sot interpretohen si shkelje penale.
Në vijim, Kryemadhi kritikoi heshtjen politike dhe mediatike lidhur me kushtet e burgosjes së Metës, duke deklaruar se për muaj të tërë ai ka qenë i izoluar pa vëmendje publike apo reagime nga përfaqësues të partisë apo media.
Deklaratat e saj vijnë në një moment delikat për Partinë e Lirisë, e cila po përballet me goditje të forta politike dhe ligjore, ndërsa Kryemadhi paralajmëron se ajo që po ndodh, sipas saj, shkon përtej individëve dhe synon eliminimin e një force politike nga skena shqiptare.