Kryebashkiakja Majlinda Bufi sjell shkrimtarët në festivalin letrar “Stephanophana” në Roskovec.

Kultura dhe arti i fjalës së shkruar do të marrin jetë në edicionin e parë të Festivalit Letrar “Stephanophana”, i cili pritet të sjellë një atmosferë të veçantë letrare e artistike në qytetin e Roskovecit.

Kryebashkiakja e qytetit, znj. Majlinda Bufi, është entuziaste që do të mirëpresë në Roskovec shkrimtarë e personalitete të gazetarisë, por edhe poetë dhe shkrimtarë që për dy netë do t’i japin shkëlqim qytetit.

Me idenë e shkrimtarit Liridon Mulaj dhe me mbështetjen e kryetares Majlinda Bufi, ky festival do të shërbejë si një udhëtim përmes botës së librave, poezisë dhe ideve, duke bashkuar autorë, studiues, lexues dhe dashamirës të letërsisë.

Me aktivitete të larmishme, diskutime letrare, prezantime librash dhe lexime poetike, “Stephanophana” synon të kthehet në një hapësirë ku fjala e shkruar lidhet me mendimin kritik dhe krijimtarinë. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përjetojnë takime frymëzuese me autorë të njohur dhe të rinj, duke e bërë festivalin një arenë të vërtetë bashkëbisedimi kulturor.

“Stephanophana” nuk është vetëm një festë e librit, por edhe një homazh për fuqinë e letërsisë si urë që lidh breza, kultura dhe vizione. Starti i këtij festivali pritet me entuziazëm, duke e vendosur atë në kalendarin e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të vendit.

Festivali letrar “Stephanophana” do të realizohet në datat 3-4 tetor, i cili është edhe muaji i letërsisë.

Ndaj Postimin: