Kryebashkiakja e Lushnjës në Forumin Ndërkombëtar të Lidershipit Femëror në Stamboll!

Stambolli priti edicionin e 5-të të Forumit të Kryetarëve të Bashkive të Evropës Juglindore, një ngjarje e rëndësishme rajonale që vuri në qendër forcimin e rolit të vajzave dhe grave në qeverisjen vendore.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuese nga 12 vende të rajonit, gra dhe vajza që mbajnë poste drejtuese si kryetare bashkish apo këshillash vendorë, të cilat ndanë përvoja, sfida dhe vizione për të ardhmen e barazisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë forum ndërkombëtar mori pjesë edhe kryebashkiakja e Lushnjës, znj. Eriselda Sefa, e cila ishte pjesë e një paneli të veçantë me temë:
“Procesi i Berlinit dhe pranimi në BE, çfarë do të thotë për pushtetin lokal.”

Gjatë diskutimeve, znj. Sefa theksoi rëndësinë që ka për pushtetin vendor integrimi në agjendat ndërkombëtare si Procesi i Berlinit dhe Agjenda 2030, duke shtuar se:
“Pushteti vendor duhet të jetë promotor i zhvillimit të qëndrueshëm, barazisë gjinore dhe përfshirjes së komunitetit në vendimmarrje.”

Forumi u fokusua në tema kyçe si:

  • rritja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje,
  • roli i tyre në ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës sociale,
  • ngritja e kapaciteteve për qeverisje efektive dhe gjithëpërfshirëse.

Ky takim u zhvillua në kuadër të Marmara Urban Forum me mbështetjen e UN Women Albania, Shoqatës Kombëtare të Bashkive të Shqipërisë, NALAS dhe organizatave të tjera partnere.

Një shembull tjetër se si gratë lidere nga Shqipëria përfaqësojnë denjësisht vendin në tryeza ndërkombëtare.

Gazetar: Ndriçim Gjoshi

Ndaj Postimin: