Kronikë: Ish kinemaja në Çermë Sektor, një ambjent mbeturinash!

Në fshatin Çermë Sektor, në bashkinë Divjakë, kinemaja e ndërtuar në vitet 1960-1962, gjatë periudhës së sistemit komunist, ka rënë në harresë dhe është shndërruar në një gërmadhë.

Kjo ndërtese, e dikurshme qendër kulture, tani është e mbushur me mbeturina dhe bimë të egra që kanë mbuluar çdo cep të saj.

Arkitektura e saj, që përfaqëson stilin e thjeshtë të asaj kohe, është një pjesë e trashëgimisë kulturore të vitit 1960. Fasada e jashtme e kinemasë është e thjeshtë, por ende ruan elemente të stilit të modernizimit që karakterizonte ndërtimet e periudhës komuniste.

Ndërsa futesh brenda, ndjesia e periudhës së komunizmit është e dukshme. Pa dyer, pa dritare dhe pa çati, kinemaja ka humbur çdo shenjë të dikurshmës. Gjendja e brendshme është plotësisht e shkatërruar dhe çdo element i saj është kthyer në rrënoja të plota.

Ky vend, dikur një qendër aktiviteti dhe argëtimi për komunitetin, tani është një kujtesë e zymtë e kaluara. Pamja e brendshme është kaq e shkatërruar sa është e vështirë të imagjinohet si ishte dikur, ndërsa çdo shenjë e historisë së saj është mbuluar nga harresa dhe moskujdesi.

Për shumicën e banorëve të zonës, kinemaja është bërë një simbol i lënë pas dore, një dëshmi e rënies së institucioneve kulturore të periudhës komuniste. Ajo që dikur mund të ketë qenë një vend takimi dhe shprese për shumë, tani është një shesh i mbushur me mbeturina.

Me kalimin e kohës, ky objekt i trashëgimisë mund të shërbejë si një mundësi për restaurim dhe rehabilitim, që do t’i jepte një shpëtim jo vetëm këtij vendi të shkatërruar, por edhe identitetit kulturor të zonës.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera