Kriza politike në Kosovë pas dështimit të votimit

Albin Kurti deklaroi se opozita vendos për drejtimin e mëtejshëm: qeveri e përkohshme me Glauk Konjufcën deri në prill, ose zgjedhje të parakohshme në dhjetor.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas një takimi politik në Gjakovë, ka komentuar situatën aktuale të formimit të Qeverisë së re. Ai pranoi se nuk arriti të sigurojë shumicën prej 61 votash për të marrë mandatin e tij të radhës si kryeministër.

Kurti tha se pas balotazhit do të ndërmerren hapat e radhës, duke theksuar se “opozita e ka në dorë rrugën që do të ndiqet”. Sipas tij, mundësitë janë dy: ose zgjedhjet në dhjetor me skenarin “Kurti 2.5”, ose qeveria “Konjufca 1” që do të çonte vendin në zgjedhje në prill.

Ai kujtoi proceset e deritanishme institucionale, përfshirë verifikimin e mandateve, propozimet për postet qeveritare dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha. Kurti theksoi se kryesia e Kuvendit është tashmë e konstituar, duke përfshirë edhe përfaqësues serb që e njohin Republikën e Kosovës.

Kurti shtoi se LVV ka 48 deputetë, më shumë se LDK dhe PDK së bashku, dhe se vullneti i zgjedhësve duhet respektuar. Megjithatë, ai u shpreh se është i hapur për bashkëpunim për të shmangur bllokimin politik.

Sipas tij, votimi i Glauk Konjufcës do të ishte zgjidhja më e favorshme për shtetin, pasi do të mundësonte miratimin e buxhetit, Planit të Rritjes për BE dhe financimet për institucionet dhe komunat që aktualisht funksionojnë me buxhet të vitit të kaluar.

Kurti theksoi se qeveria e përkohshme deri në prill do të siguronte stabilitet institucional dhe kohë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve, por pranoi se asnjë nga këto opsione nuk mund të realizohet pa vullnetin e opozitës.

“Ne kemi bërë lëvizjet tona dhe kemi treguar gatishmëri. Vendimi tani është në dorë të subjekteve opozitare,” u shpreh ai, duke shtuar se refuzimet aktuale nuk janë të arsyeshme as politikisht dhe as logjikisht.

Ndaj Postimin: