Kriza politike në Francë, dorëhiqet kryeministri Sébastien Lecornu

Vetëm një ditë pas njoftimit të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri francez Sébastien Lecornu ka dhënë dorëheqjen, duke thelluar krizën politike që ka përfshirë vendin dhe vendosur presidentin Emmanuel Macron përballë një udhëkryqi të vështirë.

Të hënën në mëngjes, Lecornu mbërriti në Pallatin Élysée për t’i dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen presidentit Macron, i cili e pranoi menjëherë. Dorëheqja e tij erdhi vetëm pak orë pasi kishte prezantuar përbërjen e qeverisë së re, e cila tashmë ka rënë përpara se të niste punën.

Kjo lëvizje ka hapur një krizë të re institucionale në Paris. Macron përballet me dy alternativa: ose të ndryshojë kurs dhe të emërojë një kryeministër të krahut të majtë për të kërkuar stabilitet parlamentar, ose të shpërndajë Asamblenë Kombëtare dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Dorëheqja e Lecornu-t u shoqërua nga tensione brenda kampit të qendrës së djathtë. Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau, një figurë e fortë e Republikanëve, e cilësoi largimin e tij si “pasojë të një përplasjeje të parashikueshme mes ambicies politike dhe mungesës së unitetit të brendshëm”.

Në një reagim publik, Lecornu u shpreh se “kabineti i ri nuk përfaqësonte ndarjen e premtuar” dhe se “situata politike nuk e lejonte vazhdimin normal të punës”. Ai njoftoi se do të thërriste menjëherë komitetin strategjik të partisë për të vendosur hapat e ardhshëm.

Ndërkohë, krahët e djathtë gaullistë janë mbledhur në një takim urgjent, ku i kanë dërguar presidentit Macron një ultimatum: nëse Bruno Le Maire, ish-ministri i Financave, nuk largohet nga posti i ri në Ministrinë e Mbrojtjes, ata do të tërheqin mbështetjen ndaj qeverisë.

Franca ndodhet sërish në një moment delikat politik, me një president që ka humbur shumicën parlamentare dhe një opozitë të ndarë, por gjithnjë e më të vendosur për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Situata mbetet në zhvillim dhe pritet që Macron të dalë me një deklaratë zyrtare gjatë ditës.

Ndaj Postimin: