Rënia e çmimit të vajit të ullirit po vë në pikëpyetje të ardhmen e një prej sektorëve të rëndësishëm të bujqësisë shqiptare. Fermerët po përballen me vështirësi në shitjen e prodhimit, ndërsa paralajmërohet edhe braktisja e kultivimit, madje në disa raste edhe prerja e ullishteve.
Përballë kësaj situate, Albanian Food Industry, AFI, kërkon ndërhyrje urgjente nga qeveria, për të mbrojtur prodhuesit vendas dhe investimet e kryera ndër vite.
Sipas organizatës, Shqipëria ka investuar ndjeshëm në zgjerimin e ullishteve dhe në ngritjen e mbi 270 fabrikave të përpunimit të vajit. Rënia e çmimeve rrezikon jo vetëm të ardhurat e fermerëve, por edhe aktivitetin e përpunuesve, punësimin dhe ekonominë rurale.
Në paketën e propozuar, AFI kërkon hartimin e një plani të menjëhershëm mbështetës, certifikimin falas të vajit vendas, si dhe pezullimin e përkohshëm të importeve deri në fund të janarit. Mes rekomandimeve është edhe detyrimi për subjektet që kanë përfituar fonde publike apo lehtësi fiskale, të blejnë deri në qershor vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar.
Gjithashtu, kërkohet vendosja e një çmimi reference për vajin e importuar dhe ngritja e një task-force pranë Ministrisë së Bujqësisë, me përfaqësim 70 për qind të fermerëve dhe përpunuesve.
AFI paralajmëron se mungesa e ndërhyrjes mund të sjellë pasoja edhe për sezonin e ardhshëm bujqësor. Sepse kriza e sotme e çmimit nuk rrezikon vetëm fitimin e fermerit, por vetë vazhdimësinë e prodhimit vendas, duke shtuar varësinë nga importet dhe rrezikun e shtrenjtimit të vajit për konsumatorët.