Kriza e ujit kërcënon Fierzën dhe energjinë

Baseni i Fierzës po shteron nga thatësira, duke rrezikuar prodhimin e energjisë dhe duke detyruar KESH të blejë mbi 72 mijë MWh në vetëm një javë.

Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, po funksionon vetëm me një turbinë nga katër të mundshme. Arsyeja lidhet me ruajtjen e rezervës hidrike në kaskadën e Drinit, pasi liqeni artificial po afrohet me “pikën e vdekjes” në 242 metra mbi nivelin e detit. Aktualisht, kuota ka rënë në 264.93 metra, shumë më poshtë se maksimumi prej 296.5 metrash.

Prurjet nga Drini i Bardhë dhe Drini i Zi kanë arritur nivele kritike, duke mos kaluar më shumë se 30 metra kub ujë në sekondë. Kjo gjendje e ka thelluar krizën, duke e bërë të pamjaftueshme furnizimin natyror të basenit për prodhim të qëndrueshëm energjie.

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë ulur dukshëm prodhimin vendas. Liqeni po tërhiqet çdo ditë, ndërsa rritja e konsumit e ka shtuar presionin mbi kaskadën e Drinit, e cila po shënon rënie të fortë në kapacitetin e saj prodhues.

Për të shmangur një krizë më të thellë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka alternuar prodhimin me hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës. Megjithatë, këto masa nuk kanë mjaftuar për të balancuar kërkesën.

Si pasojë, KESH është detyruar të importojë energji. Vetëm në periudhën 15–21 shtator, kompania ka blerë 72.236 megavat-orë energji për të mbuluar nevojat e tregut dhe për të kompensuar mungesën e prodhimit vendas.

Situata në Fierzë përbën një alarm serioz për sistemin energjetik të vendit, pasi zgjatja e thatësirës do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen. Autoritetet pritet të marrin masa shtesë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm gjatë muajve në vijim.

Ndaj Postimin: