Ekspertët paralajmërojnë se Athina rrezikon kolaps në furnizimin me ujë për shkak të rënies dramatike të rezervuarëve që furnizojnë kryeqytetin grek.
Sistemi kryesor i furnizimit me ujë të Athinës ndodhet në një pikë kritike. Rezervuari i Mornosit, që përbën burimin kryesor të ujit të pijshëm për qytetin, ka rënë ndjeshëm në kapacitet, duke prekur nivelet më të ulëta të dy dekadave të fundit.
Sipas një studimi të Observatorit Kombëtar të Athinës, niveli i ujit në këtë rezervuar është aktualisht mes 60–65% të kapacitetit të plotë. Kjo rënie progresive ka nisur që në vitin 2022, kur liqeni ishte afër mbushjes së plotë.
Situata është edhe më e rëndë në rezervuarin ndihmës të Evinosit. Në maj të vitit 2025, sipërfaqja e tij ishte vetëm 2.3 kilometra katrorë, shumë më poshtë nga ajo që pritet në kushte normale. Të dy rezervuarët ndodhen aktualisht në vetëm 60% të kapacitetit, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Ekspertët bëjnë përgjegjëse për këtë situatë mungesën e reshjeve, ciklet e zgjatura të thatësirës dhe temperaturat ekstreme. Ndikimi i ngrohjes globale ka përkeqësuar ciklet natyrore të ripërtëritjes së burimeve ujore.
Këto të dhëna vijnë në një moment kur kërkesa për ujë në Athinë po rritet ndjeshëm, për shkak të rritjes së popullsisë, zgjerimit urban dhe rritjes së fluksit të turistëve gjatë sezonit veror. Sot, mbi 3.6 milionë banorë në Athinë janë të varur nga ky sistem i brishtë.
Megjithëse të dhënat klimatike për vitin 2025 sugjerojnë një përmirësim të lehtë të kushteve, ekspertët theksojnë se një rënie tjetër në fuqinë e ujëmbledhësve mund të jetë katastrofike.
Raporti përfundon me thirrje të drejtpërdrejtë për qeverinë greke: duhet të merren masa urgjente për menaxhimin e burimeve ujore dhe përmirësimin e infrastrukturës, përpara se Athina të përballet me një krizë të plotë të ujit të pijshëm.