Raporti i BE-së: Vetëm 16% e ujërave në Shqipëri të përshtatshme për notim, ndërsa Vlora përballet me mungesë uji të pijshëm.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ngritur alarmin për një tjetër krizë që po trondit sektorin e turizmit në Shqipëri. Duke iu referuar një raporti të fundit nga Agjencia Europiane e Mjedisit, Blushi deklaroi se 84% e ujërave në vend janë të ndotura dhe të papërshtatshme për notim, duke e cilësuar këtë si një tjetër turp kombëtar të kësaj qeverie.
Sipas Blushit, qeveria aktuale ka dështuar të garantojë infrastrukturën bazë për turizmin, duke e lënë sektorin në mëshirë të fatit. Mungesa e investimeve, shpërfillja ndaj zonave me potencial turistik dhe mosmbështetja për agro-turizmin po sjellin pasoja serioze në gjithë vendin, nga veriu në jug.
Situata paraqitet veçanërisht alarmante në qytetin e Vlorës, simboli i turizmit bregdetar shqiptar, i cili prej javësh përballet me mungesë të plotë të ujit të pijshëm. Blushi akuzon ndërmarrjen e ujësjellësit për punësime klienteliste dhe paaftësi totale për të siguruar furnizimin minimal me ujë gjatë kulmit të sezonit turistik.
Për më tepër, ai thekson se kompanitë serioze po largohen njëra pas tjetrës, ndërsa operatorët turistikë po përballen me një rënie drastike të të ardhurave. Kjo situatë, sipas tij, përbën momentin më të errët të dekadës për turizmin shqiptar, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë familjare dhe kombëtare.
Blushi thekson se shifrat alarmante të ndotjes së ujërave dhe rënia e kapaciteteve turistike — që variojnë nga 50% deri në 70% — janë një sinjal i qartë i keqmenaxhimit të sektorit. Ndërkohë, shqiptarët e zakonshëm, përfshirë pensionistët, nuk arrijnë të përballojnë dot pushimet për shkak të kostove të larta të jetesës dhe pagave minimale.
Ai akuzon qeverinë për propagandë të thatë, duke e kritikuar për përpjekjet për të paraqitur si sukses rritjen e pasagjerëve në Rinas apo lëvizjet drejt Kosovës, ndërkohë që realiteti në terren tregon një tjetër pamje të zymtë.
Në përfundim, Blushi bën thirrje për hartimin e një plani kombëtar për shpëtimin e turizmit, duke kërkuar që pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit të administrohen nga komunitetet lokale dhe të mos përfundojnë në duart e koncensionarëve me lidhje politike. Ai thekson se vetëm një politikë e përgjegjshme dhe e qëndrueshme mund të ndalë shpopullimin dhe të rikthejë shpresën për zhvillim.