Kriza e PD dhe thirrja për Këshillin Kombëtar

Lisandër Hoxha i kërkon Sali Berishës të thërrasë urgjent Këshillin Kombëtar, duke paralajmëruar se PD rrezikon të zhduket nëse nuk rifiton rolin opozitar.

Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Sali Berishës për të mbledhur pa vonesë Këshillin Kombëtar. Sipas tij, opozita duhet të marrë masa të menjëhershme për të shmangur rrezikun e shkatërrimit politik dhe shoqëror.

Në një intervistë për “News24”, Hoxha u shpreh se PD nuk mund të lejojë që vendi të kalojë në degradim dhe se reforma e brendshme është hapi i parë i domosdoshëm. “Partia ose do ta çojë veten në piedestal në betejën me Ramën, ose do të zhduket si forcë politike,” tha ai.

Ai theksoi se prej më shumë se pesë muajsh Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur, gjë që sipas tij e bën situatën të papranueshme. Hoxha kërkoi vendosjen e standardeve të reja në funksionimin e PD-së, për të fituar mbështetjen e qytetarëve në përballjen me mazhorancën.

Një nga propozimet e tij kryesore është që PD të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të fundit dhe as legjitimitetin e parlamentit aktual. Ai bëri thirrje për protesta të gjera dhe të vazhdueshme deri në arritjen e një “qeverie teknike” si kusht i panegociueshëm.

“Demokracia nuk mund të qëndrojë mbi një proces të manipuluar. Asnjë parti nuk e fiton një betejë kur shteti përdoret si makinë elektorale në shkelje të ligjit,” u shpreh Hoxha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapjen e institucioneve dhe për përdorimin e administratës në zgjedhje, duke e quajtur situatën “narkoregjim”. Për Hoxhën, rruga e vetme për opozitën është mobilizimi i qytetarëve dhe aksioni politik jashtë Kuvendit.

Ndaj Postimin: