Kriza e mbetjeve urbane, Fieri mban vëndin e tretë

Tirana prodhon 14.52 kg mbetje për frymë çdo ditë, gati dhjetëfish më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, duke mbajtur rekord kombëtar.

Në vitin 2024, kryeqyteti gjeneroi mbi 257 mijë tonë mbetje, duke u renditur si bashkia me nivelin më të lartë të prodhimit të mbetjeve për frymë në vend. Sipas të dhënave zyrtare, çdo banor i Tiranës prodhon mesatarisht 14.52 kg mbetje në ditë, ndërsa në vend të dytë qëndron Durrësi me 5.02 kg. Këto shifra e tejkalojnë ndjeshëm mesataren e vendeve të BE-së, që varion nga 1.3 deri në 1.8 kg për person në ditë.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thekson se pas Tiranës dhe Durrësit, bashkitë me nivelin më të lartë të mbetjeve janë Fieri me 1.61 kg për frymë në ditë dhe Vlora me 1 kg. Në krahun tjetër të renditjes, Berati regjistron vetëm 0.6 kg mbetje për frymë, duke qenë bashkia më e pastër në këtë tregues.

Pesha e Tiranës në nivel kombëtar është e konsiderueshme, pasi gjeneron rreth 30% të mbetjeve të vendit. Në shifra, kjo i korrespondon afërsisht 258 mijë tonëve, ndërsa Durrësi prodhon 67,564 tonë. Ekspertët e lidhin këtë përqendrim të lartë me aktivitetin ekonomik intensiv në këto dy zona.

Edhe pse më poshtë në renditje, bashkitë e Vlorës, Fierit dhe Shkodrës kanë gjithashtu nivele të larta prodhimi mbetjesh, të cilat lidhen ngushtë me zhvillimin e tyre ekonomik. Sipas raportit, rritja e gjenerimit të mbetjeve është e dukshme: në vitin 2024 u menaxhuan 870,883 tonë mbetje në gjithë vendin, krahasuar me 820,322 tonë në vitin 2023.

Tre bashki urbane – Tirana, Fieri dhe Saranda – raportojnë mbulim 100% të territorit me shërbimin e pastrimit. Në të kundërt, disa bashki rurale mbeten shumë prapa, si Fushë Arrëzi me vetëm 22% mbulim, Hasi me 35.2% dhe Memaliaj me 50%.

Menaxhimi i mbetjeve inerte paraqet gjithashtu sfida të mëdha. Vetëm 26 bashki kanë dhënë të dhëna për këtë kategori, me Sarandën, Elbasanin dhe Durrësin që raportojnë sasitë më të larta. Ndërkohë, Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë raportim për mbetjet inerte, duke lënë një boshllëk të dukshëm në vlerësimin e situatës.

Ndaj Postimin: