Kriza e aftësive në Shqipëri: Gjysma e popullsisë mbi 15 vjeç mezi lexon dhe shkruan

Shqipëria përballet me një krizë serioze të aftësimit të fuqisë punëtore, pasi rreth 47% e popullsisë mbi 15 vjeç ka arritje të ulëta arsimore, ndërsa 35.2% ka njohuri mesatare, sipas të dhënave të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF).

Vetëm 18.1% e popullsisë në këtë grupmoshë vlerësohet se ka arritje të larta në arsim.

Këto shifra alarmante tregojnë se gati gjysma e popullsisë nuk është në gjendje të lexojë dhe të shkruajë një deklaratë të thjeshtë për jetën e përditshme dhe ta kuptojë atë. Për më tepër, një përqindje e konsiderueshme nuk është në gjendje të kryejë llogaritje bazë aritmetike, gjë që kufizon mundësitë për krijimin e një force të aftë pune të nevojshme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Problemi bëhet edhe më shqetësues kur merret parasysh plakja e shpejtë e popullsisë dhe kërkesat në rritje të revolucionit teknologjik për aftësi të përditësuara. Sipas INSTAT, në vitin 2024, shkalla e pjesëmarrjes në arsimin dhe trajnimin formal dhe joformal për grupmoshën 25-34 vjeç është vetëm 1.8%, ndërsa për ata mbi këtë moshë, ky nivel bie nën 0.5%. Këto shifra janë shumë larg mesatares së Bashkimit Europian dhe nënvizojnë nevojën urgjente për më shumë mundësi trajnimi për të rriturit.

Megjithatë, Shqipëria përballet me një mungesë të theksuar të shkollave të specializuara dhe qendrave të trajnimit për popullsinë e rritur. Edhe pse vendi ka nënshkruar marrëveshjet e asocimit për Programin e Europës Digjitale, i cili do të ofrojë mundësi financimi prej 7.5 miliardë euro deri në vitin 2027 për vendet pjesëmarrëse, mbetet ende një sfidë integrimi i këtyre mundësive në sistemin arsimor dhe atë të aftësimit profesional.

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë disa iniciativa, përfshirë një studim fizibiliteti që pritet të përfundojë këtë vit dhe një udhërrëfyes për të mësuarit gjatë gjithë jetës. Por përmirësimi i situatës kërkon jo vetëm plane dhe strategji, por edhe investime konkrete në infrastrukturë dhe platforma dixhitale për arsimimin e të rriturve.

Ndryshimet demografike, me emigrimin masiv dhe përqendrimin e popullsisë në Tiranë, po krijojnë sfida të reja. Shpopullimi i zonave të tjera të vendit dhe rënia e numrit të nxënësve, veçanërisht në arsimin profesional, po ndikon në tregun e punës dhe në perspektivën ekonomike afatgjatë të Shqipërisë.

Në këtë kontekst, zhvillimi i nismave për të mësuarit gjatë gjithë jetës është i domosdoshëm për të siguruar një forcë pune të aftësuar dhe konkurruese. Pa ndërhyrje të menjëhershme dhe strategjike, vendi rrezikon të mbetet pas në përballimin e sfidave të një tregu global gjithnjë e më të teknologjizuar dhe të kërkuar për aftësi të avancuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera