Në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian u diskutua draft-raporti për Shqipërinë, i përgatitur nga raportuesi Andreas Schieder, ku u shprehën kritika të forta për situatën politike dhe funksionimin e institucioneve në vend.
Kryetari i komisionit, David McAllister, shprehu shqetësim për polarizimin politik dhe bëri thirrje për dialog mes mazhorancës dhe opozitës. Ai theksoi se protestat e dhunshme nuk janë mjet i pranueshëm në një shoqëri demokratike dhe kërkoi që shumica qeverisëse të krijojë hapësirë për angazhim me opozitën, ndërsa kjo e fundit të jetë më bashkëpunuese.
Raportuesi Andreas Schieder vlerësoi se objektivi për anëtarësimin në BE në vitin 2027 është ambicioz, por i realizueshëm. Megjithatë, ai ngriti shqetësime për klimën politike dhe zgjedhjet, duke përmendur akuza për keqpërdorim të burimeve administrative, blerje votash, presione ndaj votuesve dhe një polarizim të vazhdueshëm që minon besimin institucional dhe mbikëqyrjen parlamentare.
Sa i përket shtetit të së drejtës, Schieder përshëndeti ecurinë e reformës në drejtësi dhe procesin e vetingut, por theksoi se korrupsioni mbetet një problem i madh dhe kërkohet një bilanc më i fortë hetimesh dhe dënimesh në nivele të larta.
Ai kërkoi gjithashtu forcimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, si dhe përmirësimin e klimës së biznesit përmes reformave socio-ekonomike që rrisin të ardhurat, punësimin dhe sigurinë sociale.
Eurodeputeti Andrey Kovatchev ngriti shqetësime për ndërhyrje në drejtësi dhe për funksionimin e pavarur të SPAK, duke theksuar se hetimet, përfshirë ato ndaj zyrtarëve të lartë, duhet të vazhdojnë pa presion politik. Ai shprehu shqetësim për ndryshimet e propozuara në procedurën penale dhe për refuzimin e heqjes së imunitetit parlamentar në raste konkrete.
Michael Gahler përmendi vizitën e tij në Shqipëri dhe theksoi ekzistencën e strukturave të korrupsionit dhe krimit të organizuar që, sipas tij, arrijnë në nivelet më të larta. Ai u shpreh se nuk dëshiron që këto struktura të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.
Ndërsa Thomas Waitz përshëndeti punën e SPAK në rastet e korrupsionit dhe arrestimin e politikanëve të niveleve të larta, ai kritikoi gjithashtu luftën ndaj krimit të organizuar dhe mungesën e transparencës në përdorimin e fondeve të BE-së.