Krimi familjar në Tiranë, autori në gjykim për vrasjen e të birit

Hetimet zbulojnë dinamikën e konfliktit tragjik që çoi në vrasjen e Asim Gjonit nga babai i tij, duke hedhur dritë mbi motivet, provat dhe vendimin e Prokurorisë për ta çuar çështjen në gjykim.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Hekuran Gjonin, i akuzuar për vrasjen e djalit të tij, Asim Gjoni. Sipas dosjes hetimore, ngjarja e rëndë ndodhi më 1 shkurt 2025 pas një konflikti të çastit, i cili degjeneroi në dhunë fatale brenda familjes.

Organi i akuzës thotë se debati mes babait dhe djalit nisi për motive të parëndësishme gjatë kohës që po uleshin për të ngrënë. Hekuran Gjoni ka deklaruar se djali e ngacmoi me fjalë, gjë që e tensionoi situatën. Ai rrëfeu se humbi qetësinë dhe e goditi djalin me shpullë, duke shkaktuar një përplasje që u përkeqësua më tej.

Sipas dëshmisë së tij, në momentin që djali e kapi nga rrobat dhe i kërkoi të mos e prekte më, vajza ndërhyri duke u përpjekur të zbusë situatën. Por ndërhyrja e saj përfundoi në një shtytje të fortë nga Asimi, që e rrëzoi në tokë. Pikërisht ky moment, sipas Hekuran Gjonit, e shtyu të humbiste kontrollin dhe të merrte thikën e bukës nga tavolina.

Goditja e vetme që ai i shkaktoi djalit u bë fatale. Ekspertiza mjekoligjore zbuloi një plagë të thellë në anën e majtë të gjoksit, e cila solli dëmtime të mushkërisë, cipës mbrojtëse të zemrës dhe shkaktoi hemorragji të rëndë. Në duart e viktimës u gjetën gjithashtu plagë prerëse, që tregojnë për një tentativë për t’u mbrojtur.

Prokuroria thekson se provat e mbledhura, dëshmitë dhe ekspertizat e çojnë përfundimisht në akuzën e rëndë “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal. Rasti tashmë pritet të shqyrtohet në gjykatë, ku do të vendoset fati i Hekuran Gjonit dhe përgjegjësia penale për krimin që ka tronditur opinionin publik.

Ndaj Postimin: