Kreshnik Spahiu ka komentuar publikisht krahasimet mes Shqipërisë dhe Venezuelës pas zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, duke deklaruar se ideja se SHBA mund të trajtojë Shqipërinë si Venezuelën është, sipas tij, e gabuar.
Në reagimin e tij, Spahiu thekson se Venezuela dhe Shqipëria kanë pozicione krejtësisht të ndryshme në raport me Shtetet e Bashkuara dhe rendin ndërkombëtar.
Ai deklaron se Venezuela u përball me presion maksimal sepse zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, refuzoi bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, ndërtoi një ideologji anti-amerikane dhe u pozicionua pranë Rusisë, Kinës dhe Iranit.
Në kontrast, Spahiu rendit faktorët që, sipas tij, e vendosin Shqipërinë në një pozicion të ndryshëm: anëtarësimin në NATO, mungesën e burimeve strategjike që sfidojnë interesat amerikane, bashkëpunimin me SHBA-në dhe strukturat perëndimore, si dhe rolin e stabilitetit në rajon.
“Prandaj, SHBA zgjedh ta menaxhojë Shqipërinë përmes diplomacisë, reformës në drejtësi dhe sanksioneve individuale, jo ta destabilizojë”, shprehet Spahiu.
Në përfundim, ai thekson se, sipas tij, ndryshimi politik në Shqipëri nuk vjen nga ndërhyrja e jashtme, por nga ndërtimi i një opozite me kredibilitet, kauzë dhe mbështetje ndërkombëtare.