Kreshnik Spahiu: Mafia e ushqimeve në Shqipëri, më e rrezikshme se trafikantët e drogës

Dikur Shqipëria krenohej me produktet ushqimore për cilësinë, çmimet dhe shijen e frutave, perimeve, mishit, bulmetit e produkteve të tjera. Por kjo, sipas Kreshnik Spahiut, i përket të kaluarës dhe ka mbetur një mit.

Sot, thotë ai, shqiptarët janë viktima të mafies së ushqimeve. Sipas Spahiut, mafia e ushqimeve fiton më shumë se mafia e drogës. Nëse droga dëmton jetën e 5% të shqiptarëve që e përdorin, ushqimet po dëmtojnë jetën e 100% të popullsisë.

Ai sjell shembullin e një biznesmeni shqiptar që tentoi të eksportonte mish në Gjermani dhe në vendet e Bashkimit Europian, me bindjen se produktet shqiptare ishin më cilësore. Pas gjashtë muajsh analizash, autoritetet ushqimore europiane i kthyen përgjigje negative, pasi mishi i viçit, derrit, qingjit dhe lopës nuk plotësonte standardet për t’u shitur në BE.

E njëjta situatë, sipas tij, i ka ndodhur edhe një prodhuesi nga Lushnja, i cili ka tentuar të eksportojë në Austri domate, speca, patëllxhanë dhe kunguj, por maunet janë bllokuar në kufi për shkak të mosplotësimit të standardeve europiane.

Problemet e konstatuara kanë qenë:

  • baktere të rrezikshme si Salmonella, E. coli dhe Listeria;
  • pesticide mbi limitet e lejuara;
  • antibiotikë ose hormone të ndaluara;
  • metale të rënda mbi kufijtë e lejuar;
  • mungesë higjiene;
  • temperatura të pakontrolluara;
  • kontaminim;
  • cilësia e dobët e ushqimit të kafshëve;
  • cilësia e ujit;
  • probleme me paketimin dhe ruajtjen.

Spahiu thekson se Shqipëria është e vetmja në Europë që pas vitit 1990 shkatërroi institutin e farërave, ku për dekada funksiononin laboratorë për kontrollin, certifikimin, testimin dhe zhvillimin e farërave bujqësore, me qëllim garantimin e cilësisë dhe përputhjes me standardet kombëtare dhe ato të BE-së.

Sipas tij, në Shqipëri sot “as nuk mund të hash dhe as nuk mund të pish me cilësi”. Ai argumenton se shija më e fortë e disa produkteve nuk do të thotë se ato janë të shëndetshme apo përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.

Spahiu pohon se buka në Shqipëri nuk krahasohet për cilësi me asnjë vend europian dhe se shumica e drithërave importohen nga Serbia, Rusia dhe Ukraina, shpesh me standarde më të ulëta.

Ai ngre pikëpyetje edhe për përbërësit e produkteve të përditshme si picat, pijet, kafeja, vera dhe vaji i ullirit, duke i cilësuar këto si ndër produktet më të falsifikuara në vend.

Sipas tij, në vendet e BE-së kontrolli i produkteve si kafeja përfshin testimin për pesticide mbi limitet, mykotoksina, metale të rënda, substanca të ndaluara, autenticitetin e produktit, si dhe higjienën, përpunimin, magazinimin dhe transportin.

Spahiu akuzon se në Shqipëri mungon kontrolli i duhur mbi cilësinë e ujit dhe kushtet higjieno-sanitare në shumë ambiente tregtare.

Ai rendit tre pasoja kryesore të asaj që e quan “mafia e ushqimeve”:

  1. Dëmtimi i shëndetit publik – ekspozimi ndaj produkteve të pasigurta, sipas tij, rrit rrezikun e sëmundjeve të rënda si kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare.
  2. Rritja e kostos për qytetarët – ndonëse rënia e euros duhej të sillte ulje të çmimeve për produktet e importuara, sipas tij, çmimet në supermarketet shqiptare janë shpesh 2–3 herë më të larta se në Europë, për shkak të mungesës së konkurrencës.
  3. Pengimi i integrimit europian – siguria ushqimore është një nga kapitujt më të rëndësishëm në negociatat me BE-në, dhe sipas Spahiut, Shqipëria ka ende probleme serioze në përmbushjen e standardeve.

Ai ngre gjithashtu shqetësimin për shitjen e produkteve të skaduara dhe manipulimin e datave të skadencës në disa markete, duke e cilësuar këtë një rrezik të drejtpërdrejtë për familjet dhe fëmijët.

Në përfundim, Spahiu shprehet se, ndonëse burgjet janë të mbushura me persona të dënuar për vepra të ndryshme penale, askush nga ajo që ai e quan “mafia e ushqimeve” nuk ndodhet pas hekurave.

Sipas tij, kjo strukturë ka fuqi ekonomike dhe politike dhe funksionon mbi parimin: “Ai që kontrollon ushqimin, kontrollon jetën.”

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033