Kremlini ka konfirmuar nisjen e punimeve për organizimin e një samiti mes presidentëve të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, pas bisedës telefonike të zhvilluar mes tyre.
Ky ishte kontakti i parë zyrtar mes dy liderëve që nga përshkallëzimi i konfliktit të Ukrainës në shkurt 2022, dhe sinjalizon një mundësi për rifillimin e dialogut midis dy fuqive globale.
Përmes një deklarate, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përshkroi telefonatën si një “bisedë shumë të rëndësishme”, duke theksuar se nuk kishte pasur kontakte të nivelit të lartë midis Moskës dhe Uashingtonit për disa vite. Ai theksoi se, përkundër tensioneve të mëparshme, tashmë ishte arritur një dakordim për të filluar punën për një takimi të mundshëm.
Në këtë bisedë, Trump ka sinjalizuar qëndrimin e tij në lidhje me çështjen e Ukrainës, duke theksuar se ai është “në rregull” me mbajtjen e Ukrainës jashtë NATO-s dhe se nuk ka shumë shanse që Kievi të rimarrë të gjithë territorin që ka humbur ndaj Rusisë në vitet e fundit. Trump gjithashtu ka theksuar se liderët kishin shkëmbyer ftesa për të vizituar vendet e njëri-tjetrit.
Zëdhënësi i Kremlinit theksoi se ndryshimi i qëndrimeve mes administratës Trump dhe asaj të ish-presidentit Joe Biden është i dukshëm. Peskov e përshkroi administratën e Biden si atë që besonte se “duhet bërë gjithçka për të siguruar vazhdimin e luftës”, ndërsa ekipi i Trump duket se ka një qasje të ndryshme, duke besuar se duhet bërë gjithçka për të ndaluar luftën dhe për të mundësuar paqen.
Peskov shtoi se Trump dhe Putin ranë dakord për të mbajtur kontakte të vazhdueshme lidhur me mundësinë e organizimit të një samiti të veçantë. Ai theksoi se pas bisedës telefonike, udhëzimet janë dhënë për asistentët e të dy presidentëve për të filluar punën përkatëse për realizimin e takimit.
Megjithatë, Peskov nuk pranoi të bëjë të ditur se cila palë kishte iniciuar dialogun dhe nuk zbuloi nëse Trump do të udhëtonte për në Moskë për të marrë pjesë në paradën e Fitores më 9 maj, e cila përkujton fitoren e Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë Naziste.