Në rrugën hyrëse të qytetit të Lushnjes, e njohur si “Rruga e Tiranës”, ka nisur puna për krasitjen dhe pastrimin e degëve të thata të palmave dekorative.
Kjo ndërhyrje po kryhet nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike dhe sektori i gjelbërimit i Bashkisë Lushnjë, si pjesë e mirëmbajtjes së vazhdueshme të hapësirave të gjelbra në qytet.
Specialistët agronomë të sektorit kanë theksuar se degët e thata të palmave përbëjnë rrezik për qytetarët dhe automjetet, sidomos gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit, kur mund të shkëputen për shkak të erërave apo reshjeve. Për këtë arsye, është vendosur që këto pemë të kontrollohen dhe të pastrohen rregullisht.
Në një koment jashtë kamere, specialisti Jorgen Prifti u shpreh se, përveç aspektit të sigurisë, kjo nismë synon edhe ruajtjen e estetikës së palmave, të cilat janë pjesë e identitetit të gjelbër të qytetit.
Kjo rrugë është një ndër më të frekuentuarat, jo vetëm për qarkullimin e mjeteve, por edhe për qytetarët që e përdorin për ecje dhe rekreacion, sidomos në orët e mbrëmjes.
Gjatë muajve të fundit, Bashkia Lushnjë ka rritur ndjeshëm angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës së gjelbër dhe mbajtjen pastër të qytetit. Sipas drejtuesve vendorë, kjo është një kërkesë e vazhdueshme e kryebashkiakes znj. Eriselda Sefa, që çdo investim dhe shërbim të jetë në funksion të përmirësimit të jetesës urbane.
Kujdesi për pemët dekorative, përfshirë edhe palmat, është pjesë e përpjekjeve për një qytet më të gjelbër, më të sigurt dhe më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi