Krahina e Vlorës në revoltë: banorët sfidojnë prishjet dhe paralajmërojnë përplasje me qeverinë

Banorët e Tragjasit, Orikumit, Dukatit dhe Radhimës u bashkuan në një “Kuvend Komunitar” për të kundërshtuar prishjet e bizneseve dhe për të mbrojtur pronat nga projektet oligarkike.

Një tubim i pazakontë u zhvillua në Vlorë, ku banorët e katër fshatrave bregdetare, Tragjas, Orikum, Dukat dhe Radhimë, mbajtën “Kuvendin Komunitar të Krahinës” për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj prishjeve të bizneseve nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Sipas organizatorëve, pas këtij operacioni qëndron një plan qeveritar për t’u marrë tokat banorëve dhe për t’ia kaluar ato oligarkëve përmes projekteve turistike.

Banorët e zonës deklaruan se nuk do të lejojnë askënd t’u prekë pronat dhe janë të vendosur t’i mbrojnë me çdo mënyrë. Ata paralajmëruan se, nëse IKMT dhe policia do të ndërhyjnë me forcë, përplasja është e pashmangshme. “Do të ecim me peticione dhe kallëzime në prokurori, por nëse duhet, do përballemi edhe fizikisht,” – tha organizatori i takimit, Edvioll Kulluri, duke marrë duartrokitje nga të pranishmit.

Takimi u zhvillua pasditen e së premtes dhe sipas banorëve, IKMT u ka lënë një afat verbal për largimin e bizneseve në Orikum dhe Llogara deri në fund të tetorit. Ata e cilësojnë këtë nismë si një “veprim të fshehur pas pretekstit të ndërtimit pa leje”, me qëllim që tokat bregdetare t’u kalojnë investitorëve të mëdhenj që kërkojnë të ndërtojnë resorte luksoze në vend të bizneseve lokale.

Në fjalën e tij, Kulluri akuzoi institucionet për “falsifikim të dokumenteve të pronësisë” dhe “vjedhje të tokave nga duar vendasish”. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm tokash janë regjistruar në emër të personave me ndikim politik e ekonomik, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me komunitetin lokal. “Prishjet nuk janë për shëtitore, por për resorte. Këtu po përgatitet zhdukja ekonomike e banorëve të vjetër të bregdetit,” – shtoi ai me tone të forta.

Banorët e krahinës kërkuan transparencë nga qeveria dhe bllokim të menjëhershëm të aksionit të IKMT-së, duke paralajmëruar se çdo tentativë për shembje objektesh do të përballet me rezistencë të hapur. Ata e quajtën situatën “grabitje të maskuar” dhe “tregti politike me pasuritë bregdetare”.

Në fund të mbledhjes, pjesëmarrësit nënshkruan një peticion për funksionimin e përhershëm të Kuvendit Komunitar të Krahinës dhe ngritën grupe pune për veprime të koordinuara në ditët në vijim. Ata u zotuan të mos lejojnë asnjë ndërhyrje pa konsultim publik dhe të vijojnë protestat deri në ndalimin e plotë të planeve që, sipas tyre, “rrezikojnë të shkatërrojnë identitetin dhe të ardhmen e komunitetit”.

Ndaj Postimin: