Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të pranojë kërkesën e drejtuesit të SPAK për përmbylljen e procesit të rivlerësimit ndaj ish-gjyqtares Mimoza Margjeka, pa një vendim përfundimtar mbi themelin e çështjes.
Sipas KPA-së, Margjeka nuk e gëzon më statusin e magjistrates, pasi është shkarkuar nga sistemi i drejtësisë si pasojë e një vendimi penal të formës së prerë për korrupsion. Në këto kushte, procesi i vetingut ka humbur objektin dhe qëllimin e tij, duke çuar në mbylljen procedurale të çështjes.
Margjeka ishte shkarkuar fillimisht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 shkurt 2024. Paralelisht, ndaj saj kishte nisur procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor, me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të dënimit penal.
Më 9 prill 2024, KLGJ vendosi shkarkimin e saj. Vendimi u ankimua në KPA, por ankimi nuk u pranua.
Margjeka u arrestua në shtator 2020, ndërsa ishte e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë. Ajo u shpall fajtore për marrjen e 6 mijë eurove përmes bashkëshortit të saj, Arben Cara, me qëllim lehtësimin e masës së sigurisë për një person të ndaluar në Pogradec.
Në dhjetor 2022, gjykata i deklaroi fajtorë pesë të pandehurit në këtë çështje. Margjeka u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim, me pezullim të pjesës së mbetur të dënimit dhe vendosje në provë për 3 vite. Asaj iu hoq gjithashtu e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Me vendimin e shpallur më 26 shkurt 2026, KPA përfundon edhe procesin e rivlerësimit kalimtar ndaj saj. Vendimi është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.