Siç e kemi paralajmëruar më parë, Endri Meksi, çuni i Kompetentit të Piramidave Aleksandër Meksi, rezulton pjesë e dosjes 16 mijë faqe të SPAK për zv/kryeministren Belinda Balluku. Meksi, sipas përgjimeve në dosje, përdor median e tij si instrument presioni dhe shantazhi për të përlarë para publike, përmes tenderave me natyrë korruptive. Sipas dosjes voluminoze, Meksi përdor televizionin e tij mediokër MCN herë për lëpirje dhe herë si llastik për të marrë para publike.
Në qershor të vitit 2021, kreu i ARRSH-së Evis Berberi i shkruan Belinda Ballukut se Endri Meksi kishte çuar kamerat e televizionit të tij MCN para godinës së ARRSH-së, duke bërë filmime. Zonja Balluku i përgjigjet Berberit, duke i thënë që mos ta… fare për presionet e Endri Meksit, të cilit i referohet me epitetet “pallë” dhe “gjobaxhi”. Sipas Ballukut, Meksi po përdor televizionin e tij për të ushtruar presion me qëllim për të marrë një tender supervizimi nga ARRSH-ja me anë të kompanive të tij, përfshirë MC Networking shpk.
Nga biseda kuptohet se Endri Meksi kërkon në mënyrë të paligjshme të marrë tenderin për supervizimin e një rruge, e cila është ndërtuar nga kompania Geci shpk, me pronar biznesmenin Ramë Geci, i cili gjithashtu rezulton pjesë e dosjes. Geci ka marrë 11 tendera nga ARRSH me vlerë rreth 65 milionë euro.
Referuar bisedave në dosje, Balluku i referohet Meksit me epitete si “pallë”, “k*rvë”, “gjobaxhi” etj., ndërsa e këshillon Berberin të mos bjerë pre e presioneve të tij. Teksa Balluku ka refuzuar dhe sfiduar presionet e Meksit për t’u ushqyer me fonde publike, çuni i Kompetentit ka trokitur në zyrën e Edi Rama.
Ka dëshmi dhe evidenca se Meksi ka arritur të depërtojë në zyrën e Edi Ramës përmes një sekseri, duke kërkuar tenderat me objekt Qendra e monitorimit të trafikut me vlerë 33 milionë euro, kërkesë e cila është pranuar nga Rama, me sa duket, në këmbim të lëpirjes mediatike. Dy tenderat Meksi i ka përfituar përmes kompanisë së tij të shitjes së kompjuterave MC Networking, në formë korruptive.
Tenderin e parë, me vlerë 21 milionë euro, me objekt “Qendra e monitorimit të trafikut (200 km), faza e parë”, për djalin e Kompetentit të Sudes e ka firmosur në prill 2023 pikërisht ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili ndodhet në burg me kërkesë të SPAK për afera me tendera, me disa masa sigurie.
Endri Meksi, përmes kompanisë së shitjes së kompjuterave MC Networking, ka përfituar në bashkëpunim edhe tenderin tjetër nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për fazën e dytë të monitorimit të trafikut, me vlerë rreth 12 milionë euro, me flamur të kuq korrupsioni, me pazar në tavolinë dhe me ofertë fituese gati sa fondi limit.
Në gjurmët e Evis Berberit, tenderi i dytë është firmosur nga drejtori aktual i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili është marrë dy herë i pandehur nga SPAK-u, për dosjen e Berberit dhe së fundmi për Tunelin e Llogarasë.
Në një hark kohor prej dy vitesh, Endri Meksi ka përfituar në bashkëpunim vetëm nga ARRSH dy tendera me vlerë 33 milionë euro. Teksa faktet penale janë evidente, mbetet për t’u parë nëse SPAK do ta përfshijë çunin e Kompetentit të Sudes në grupin e të pandehurve për tenderat e ARRSH-së.